Është zbuliuar vila dy katëshe ku dyshohet se kanë qëndruar dy 46-vjeçarët Leonard Thodhori alias Koçolja dhe Fatmir Krasniqi alias Fatmir Sulovari.
Vila ishte marrë me qira nga personat që kanë lidhje me zhdukjen e 46-vjeçarëve dhe agjenti imobiliar ndodhet tashmë pas hekurave.
Në oborrin e kësaj vile u gjet dhe një makinë që dyshohet se kanë hipur Thodhori dhe Krasniqi për herë të fundit.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në rrugë për të mbërritur në gjurmët e makinës së rrëmbyesve, Mercedes Benz G Class, e cila u gjet pikërisht në këtë vilë, buzë rrugës nacionale Himarë-Sarandë.
Pronari i saj, është emigrant në Greqi ndaj e kishte lënë vilën me qira, përmes një agjencie imobilare. Punonjësi i agjencisë, Sofokli Baxheri është i vetmi i arrestuar deri më tani, pasi Prokuroria e Sarandës e akuzon për “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “deklaratat e rreme përpapa oficerit të policisë”.
Burimet thanë se me pronarin ka ndërmjetësuar përmes telefonit Sofokli Baxheri dhe palët janë dakordësuar për çmimin 500 euro/muaj.
Sapo kanë marrë vilën, sipas informacioneve të policisë, banorët e rinj janë kujdesur të vendosin një rrjetë para portës me qëllim që askush mos të shihte se çfarë ndodhtë brenda saj.
Agjenti imobiliar nuk ka treguar emrat e qiramarrësve, ndaj gjykata e ka lënë në arrest me burg pa afat. Po sipas burimeve policore, në këtë vilë hynin e dilnin makina luksoze si “Mercedes-Benz” G Class ngjyrë e zezë, furgon tip “Ford” ngjyrë e bardhë, fuoristradë “Peugeot”.
Prej 6 prillit, kur u zhdukën në Sarandë, policia dhe prokuroria nuk kanë arritur të gjejnë trupat e dy 46-vjecarëve që dyshohet se u vranë e groposën në zonën e Vrinës në Konispol, ku janë kryer disa herë kontrolle.
Makina “G Class” e gjetur në këtë vilë është prova kryesore e hetuesve, por ende e pamjaftueshme për të çuar në identifikimin e autorëve të krimit të rëndë.