Disa ditë më përpara ‘Priza.al’ arriti të sigurojë fotot e një zvarraniku i cili kanosi jetën e një qytetareje aty ku fillon njëra prej hyrjeve për në Parkun e Liqenit Artificial.
Por kjo gjë është përsëritur edhe natën e shkuar. Me rritjen e temperaturave, qytetarët e Tiranës kanë zgjedhur të frekuentojnë natën Parkun e Liqenit të Tiranës, por ata u përballën me një ‘mysafir të paftuar’.
Para pak minutash, në redaksinë tonë mbërriti një video, ku gjarpëri ‘shëtit’ në rrugë, duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve. Gjarpri ka kaluar rrugën duke u drejtuar tek shkurret në brendësi të parkut.
Duket se fundi i pranverës dhe rritja e temperaturave ka bërë që shumë zvarranikë dhe insekte të prishin letargjinë dhe të dalin prej nga ku ishin strehuar. Në këtë kohë, gjarpërinjtë duhen pasur më shumë kujdes, pasi i kanë gjëndrat të mbushura me helm.
Nisur nga rastet që po dalin thuajse cdo dite “Priza.al” i bën thirrje Bashkisë së Tiranës dhe Ndërmarrjes së Parqeve dhe Rekreacionit, që të fillojnë kositjen e barit si dhe dezinfektimin e zonave me risk, për të mos bërë që njerëzit apo sidomos fëmijët të bëhen objekt i kafshimeve nga zvarranikët.
/Priza.al/