VIDEO/ ‘Partizani’ drejt fitores së ‘Superiores’, mposht ‘Teutën’ në Durrës 1-0  

Ishte një finale për titull, një mundësi e shkëlqyer për Teutën për të ruajtur fronin dhe mundësia e fundit për Partizanin, për të qëndruar në garë. Të kuqtë bëjnë të madhin në Durrës, rrëmbejnë me forcë dhe klas një fitore që jo vetëm i dhuron kreun, por i afron gjithnjë e më shumë me titullin kampion.

Me pikë të barabarta, por më një fitore më shumë në ndeshjet direkte, të kuqtë e Ilir Dajës, janë vetëm dy hapa larg titullit, sërish kanë në këmbë fatin e tyre, mjafton të fitojnë dy ndeshjet e fundit, kundër Vllaznisë dhe Bylis, pa qenë e nevojshme të kthejnë kokën pas.

Në një sfidë plot ankth e tension mjaftoi një shkëndije pas vetëm 5 minutash lojë, për të sjellë rastin e parë për moviolë, në lëmin e pretendimeve një rol jo pak të rëndësishëm kishte dhe gjyqtari i takimit që fillimisht akordoi një penallti për prekje të topit më dorë në zonë por me ndihëm e asistentit anuloi gjithçka duke akorduar faull në sulm.

Teuta kishte kontrollin total të lojën në minutat e para, zhvilluan një presion asfiksues në gjysmëfushë por kërcënuan edhe portën e Alban Hoxhës si në minutën e 16-të ku predha e Todorovskit u devijua mjaftueshëm nga gardiani i Partizanit sa për të shmangur një gol fantastik.

Me kalimin e minutave, të kuqtë e Ilir Dajës kaluan ngërçin e minutave të para duke fituar më shumë terren në fushë. Në momentin më të rëndësishëm të ndeshjes, Edi Martini tradhtohet nga Stivi Frashri i cili nuk koordinohet si duhet në daljen e tij duke i dhënë mundësinë Eraldo Çinarit që me kokë të kalonte kryeqytetasit në avantazh.

Goli i dha më shumë besim Partizanit për tu vendosur më mirë në fushën e lojës, bregdetarët u përpoqen të rikthen në lojë me goditje standarde si në minutën e 31-të por Alban Hoxha në pozicion ndali pa shumë probleme goditjen e Rustem Hoxhës. Pjesa e dytë nisi me të njëjtin ritëm dhe pa ndryshime, në minutën e 52-të të kuqtë ishin thjeshtë të pafat teksa goditja plot klas e Valentino Murataj u ndal në shtyllë, një rast i shkëlqyer për të dyfishuar shifrat.

E pabesueshme se çfarë rasti shpërdoroi Jurgen Bardhi në minutën e 63-të, i vetëm përballë portierit Frashri nuk arriti të mposht gardianin e Teutës, kjo ishte mundësia perfekte për të mbyllur këtë transfertë.

Teuta nuk mundi dot të rikthej në lojë, jo vetëm që nuk rrëmbeu dot një barazim por tashmë duhet të kryqëzojnë gishtat, për të shpresuar në ndonjë blof të Partizanit por në të njëjtën kohë duhet të fitojnë dhe dy ndeshjet e fundit, kundër Laçit në transfertë dhe në fund kundër Apolonisë.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *