VIDEO/ Ja si Çim Peka, Shkullaku e Lubonja përgojojnë sondazhin e ‘Euronews Albania’, se parashikoi humbjen e opozitës

Sondazhet mediatike, një pjesë e madhe e të cilëve dolën blof në ditët e fushatës zgjedhore, zhgënjyen jo vetëm liderët e partive politike, por edhe publikun e gjerë.

E ndërsa shumë televizione u orvatën që të bënin sa më shumë “sondazhe preferencialë”, për t’u bërë “fresk” liderëve të partive që ata kanë mbështetje, pati edhe disa media që pasqyruan qartë dhe pastër realitetin e sondazheve nisur nga lidhjet me kompani të huaja që i organizojnë ato.

I tillë ishte edhe televizioni “Euronews Albania” një patentë e “Euronews Internacional”, i cili organizoi në vendin tonë disa sondazhe gjatë muajve të fundit për të pasqyruar se kush do të dilte fitues nga zgjedhjet e 25 prillit.

“Euronews Albania” u mbështet në organizimin e këtyre sondazheve edhe në një kompani të huaj prestigjioze e njohur për organizimin e formateve të sondazheve televizive.

Por duket se ky lloj organizimi dhe rezultatet e publikuara nga sondazhet në “Euronews Albania” nuk i kanë pëlqyer moderatorit Çlirim Peka, të “Syri.net”.

Në emisionin e tij, “Çim Peka Live” që gazetari Peka zhvillon në “Syri Tv”, ai ka zgjedhur që të përgojojë dhe të komentojë kolegët e tij dhe një media prestigjioze siç është “Euronews Albania”.

Kjo për faktin se sondazhet e “Euronews Albania” nuk nxorën si “Syri.net” dhe “Tv Syri” fitues PD-në dhe opozitën, ashtu siç donte edhe vet gazetari Çim Peka.

Ky i fundit e ka konsideruar Live nga ekrani i “Syri Tv” si një “sondazh jo serioz dhe aspak profesional” atë të kolegëve të “Euronews Albania” që pasqyroi me vërtetësi realitetin, madje shkoi edhe më tej duke e quajtur “sondazh të blerë nga forca politike që i shërben”.

Por jo vetëm Çim Peka. Edhe të tjerë gazetarë e analistë sulmuan sondazhin e “Euronews Albania”. Një varg i gjatë që fillon me Artan Hoxhën (ish-kandidatin për president i propozuar nga Partia Demokratike), vijon me Fatos Lubonjën (ish- mikun personal të Edi Ramës, i pozicionuar haptazi me të djathtën), Armand Shkullaku etj.

Por ajo që u tregua dhe doli nga kutitë e 25 prillit, tregoi më së miri edhe një herë se “Euronews Albania” pasqyroi me profesionalizëm dhe iu afrua më shumë të vërtetës me sondazhin e tij. Sondazhi i jepte PS-së në rang kombëtar 48.5% të votave, kurse PS zyrtarisht mori 48.68%. Për PD, sondazhi jepte 41.5% të votave, ndërsa pas numërimit nga rezultati final i KQZ-së, selia blu mori 39.4% të votave.

Për LSI-në parashikimi i sondazhit ishte 6.5% dhe kjo forcë politike deri tani ka marrë 6.95% të votave në rang kombëtar.

Për këtë Çim Peka, Artan Hoxha, Shkullaku & CO, ose duhet të pranojnë se kanë arsyetuar të bindur apo mirëpaguar politikisht, ose nuk kanë logjikë mendimi. Të dyja këto raste i bëjnë të pabesueshëm për shikuesit, aty ku bindjen e tyre përpiqen ta paraqesin si fakt.

Penetrimi i politikës në media, sjell dhe këto pasoja. Çdo media organizon sondazhe sipas pagesave politike që merr dhe profesionistët sulmohen. Shqipëri, viti 2021!

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *