Dalin pamjet e mega-operacionit “DOBRA”, të finalizuar pas bashkëpunimit mes policisë shqiptare, asaj spanjolle dhe gjermane me mbështetjen e Europol, duke siguruar ekspertizë të përshtatur dhe mbështetje të gjerë analize dhe duke lehtësuar shkëmbimin e informacionit përmes kanaleve të tij të sigurta.
Në videon e publikuar në “Facebook” nga Europol, duken momentet kur uniformat blu ushtrojnë kontrolle në shtëpitë e barit dhe në ambiente të tjera.
Siç edhe duket nga pamjet se siguruara nga Policia, djemtë që kujdeseshin për të ashtuquajturat “shtëpi bari” jetonin në kushte të vështira, vetëm me një dyshek në tokë, ndërsa “bossët’ u kishin siguruar dhjetra shishe me ujë për të mos dalë jashtë.
Aty tregohen edhe çastet kur trafikantët vihen në pranga dhe ashtu siç janë, të zbathur nga këmbët dhe me pantallona të shkurtra, futen në furgonin e policisë.
Gjatë këtij operacioni ndërkombëtar u arrestuan 107 persona, u asgjësuan rreth 25.000 bimë narkotike kanabis, dhe sekuestruan 938 kg boçe kanabisi, një detonator, dy armë zjarri, tri mjete luksoze, një bllokues valësh, 68.760 euro..
Kujtojmë që detaje të këtij operacioni, ku bazën e hetimeve e kishte në Madrid të Spanjës, u bënë për herë të parë publike sot.
Policia spanjolle, në bashkëpunim me atë shqiptare e gjermane, prej një viti, gjurmonin dhe hetonin një organizatë të madhe droge, pjesë e së cilëve ishin shqiptarë dhe persona të etnive të tjera. Ata ishin shtrirë në pothuajse 50 shtëpi në zonat e kryeqytetit spanjoll.
Në cilësinë e provës materiale, janë sekuestruar gjithsej 1 ton drogë, e llojit kanabis. Sipas informacioneve, droga prodhohej e përpunohej në Spanjë, e destinacionin përfundimtar kishte Gjermaninë, ku dhe tregtohej.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, në një konferencë të hapur në Spanjë, ka treguar se policia shqiptare ka qenë prezente që në fillimet e hetimeve. Ai tha ndër të tjera, se hapi i radhës do të jetë identifikimi dhe investigimi i pasurive të këtyre shtetasve në Shqipëri, në mënyrë që të paralizohet më tej veprimtaria kriminale.
“Mirëdita të gjithëve! Siç e përmendën edhe kolegët parafolës, për gati një vit pune të gjatë investiguese dhe hetimore tashmë është bërë i mundur finalizimi i këtij operacioni të madh ndërkombëtar. Edhe policia shqiptare si pjesë përbërëse në finalizimin e këtij operacioni, ka qenë e përshirë që në momentet e para duke ndihmuar me shkëmbimin e informacionit për shtetasit shqiptar të përfshirë. Duke iu mundësuar kolegëve spanjoll thellimin e hetimeve, ashtu dhe në veprime konkrete në ditët e vazhdimit dhe finalizimit të operacionit me oficerë nga Shqipëria.
Kjo vërteton që policia shqiptare është e pjekur jo vetëm profesionalisht, por është dhe një partner i besueshëm për të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit, për të bërë të mundur goditjen e krimit të organizuar në të gjitha vendet që ka të përfshirë shtetas shqiptar. Ne nuk do të mjaftohemi vetëm me ndalimin e operacionit në këtë stad, por do të vazhdojmë në vendin tonë për të identifikuar dhe investuar të gjitha pronat që kanë ardhur nga rezultat i këtij veprimtarie kriminale për të gjithë shtetasit e përshirë. Duke goditur dhe në pjesën ekonomike i japim një goditje të fortë këtij grupi kriminal, duke e paralizuar atë.
Ky është operacioni i parë i përbashkët që zhvillojmë me kolegët tanë spanjoll, unë besoj dhe shpresoj që do ta vijojmë dhe në të ardhmen operacione të tilla të përbashkëta. Suksese”, tha Veliu.