Ashtu sikurse çdo vit tjetër, edhe këtë vit është zhvilluar në Shqipëri gara tradicionale e automjeteve 4×4 e njohur si “Rally Albania”.
Sfida ka nisur nga qyteti bregdetar i Vlorës dhe më pas ka bërë xhirron e gjithë vendit duke përfunduar në kryeqytet.
Kësaj gare mahnitëse i kanë bërë jehonë dhe mediat e huaja.
Ato e kanë cilësuar atë si një garë të ashpër dhe magjepsëse, me peisazhe të bukura dhe terrene sfiduese.
Fitues i garës u shpall Jacopo, ndërsa i treti doli Paolo Lucci. Garuesit përshkuan gjithsej 660 km.
“Shqipëria është një vend me qindra shtigje malore shkëmbore që lidhin fshatra dhe qytete që jetojnë jetën e tyre të pandryshueshme për qindra vjet. Këto rrugë të vështira në Shqipëri janë shtëpia e një shfaqjeje shumëngjyrëshe makinash të quajtur Rally Albania. Është një tubim mjaft i kërkuar për motoçikleta, biçikleta dhe makina, si për profesionistët ashtu edhe për amatorët. Kushdo që ka leje drejtimi lejohet të marrë pjesë. Shumë njerëz e quajnë Rally Albania një “fazë maratonë në Dakar”, për shkak të kursit të saj kompleks që përshkon rrugë me zhavorr, plazhe dhe gjarpërinj malorë”, shkruan media italiane Rove.
Pas ditëve të lodhshme të garave, pjesëmarrësve iu ofrohej një drekë e lehtë që përfshinte një pjatë makarona, sanduiçë ose sallatë ton me patate të skuqura në shtëpi. Pjesëmarrësit u shpërblyen me simbole të paharrueshme, ndërsa fituesit me kupë dhe çmime.
Sipas organizatorëve risia e këtij viti ishte pjesëmarrja e madhe e femrave, krahasuar me edicionet e viteve të kaluara. Organizatorja e kësaj gare, Julinda Dhamo dha për mediat lokale detaje nga aktiviteti që mbledhi në Vlorë fansa të garave të shpejtësisë dhe makinave sportive.
“Është një garë e rëndësishme se ka sportistë, por edhe amatorë që pëlqejnë këtë sport, makinë, fuoristrada, motor fuoristrada dhe një makinë e modifikuiar SSV. Ka shumë të huaj, flitet në të gjitha gjuhët, merremi vesh me anë të shenjave, e rëndësishme është e nisëm në këtë qytet për herë të parë pas 16 vitesh dhe donim një vend kaq të madh , me kaq shumë vendparkimi.
Ka djem dhe vajza jo vetëm me makinë, por edhe motorë. Kërkon një përgatitje fizike. Garë, por edhe një promovuese shumë e mirë e turizmin. Fakti që kjo garë rritet çdo vit e më shumë, tregon që ka një qasje shumë të mirë te të gjithë garuesit. Garuesit vijnë dhe me pushime këtu me familjen. Është gara më e madhe në Ballkan”, deklaroi Dhamo gjatë garës së paharrueshme.