Nuk i rezistoi dot tundimit të ryshfetit, por as nepsit për peshk të freskët dhe duket se ky i fundit ka pasur shumë hala sa i ka “ngecur në fyt” tashmë ish- zv.ministres shumë mediatike të vetëm disa kohëve më parë.
Dhe pikërisht sot ish-zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda, është paraqitur në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar “GJPKKKO”, por jo si një titullarë e lartë shtetërore, por si një “kriminele ordinere” e shoqëruar me autopatrullë policie.
Videoja kur Voda del nga automjeti i Policisë së Shtetit e shoqëruar nga efektivët e policisë, duke u futur për në SPAK tashmë po bën xhiron e rrjetit.
Hetimet e SPAK-ut që çuan në “Arrest shtëpie” ish-zv.ministren e Brendshme, Rovena Voda, kishin nisur për një grup trafikantësh, por më pas u veçuan në një tjetër procedim.
Gjatë përgjimeve që po kryheshin në kuadër të këtij procedimi, doli në skenë avokatja nga Durrësi, Majlinda Hasani, e më pas pati dyshime të arsyeshme për përfshirjen e zyrtares së lartë në ndikim të paligjshëm për një punësim në administratë.
Vijimi i hetimeve në procedimin e veçuar nga ana e SPAK-ut, zbuloi se Voda kishte marrë një shumë prej gati 2 mijë euro nga Florida Beu dhe Majlinda Hasani, aktualisht në “Arrest shtëpie” për punësimin e Beut në ministri.
Sipas burimeve nga Prokuroria e Posaçme, Florinda Beu dhe avokatja Majlinda Hasani janë përgjuar teksa diskutojnë për t’i dhënë një shumë prej 1 mijë eurosh ish-zëvendësministres së Brendshme, por nuk ka ndonjë bisedë ku Voda të ketë kërkuar ndonjë përfitim. Mbajtja në vëzhgim, ka provuar se Voda merr një zarf prej dy grave të hetuara, megjithatë nuk duket se çfarë kishte brenda.
Mësohet se në përgjimet e mëvonshme, Beu dhe Hasani shprehin shqetësim se shuma e dhënë ka qenë e vogël dhe për këtë në një tjetër takim dyshohet se i kanë dhënë një aparat telefonik celular ish-ministres.
Në episodin e tretë, ish-zëvendësministrja Voda, ka marrë një arkë me peshk në portin e Durrësit, që dyshohet të jetë dhënë me porosi nga një prej dy të dyshuarave të tjera.
Nga ana tjetër ka rezultuar se, Florida Beu ka aplikuar në disa vende në ministri, por nuk ka kaluar as fazën e parë të konkurrimit dhe nuk ka fituar vend pune.
/Priza.al/