Kur duam që si popull të krenohemi me veti, vlera apo virtyte tonat si popull shpesh themi se jemi një “popull bujar”, “popull mikpritës”, “popull paqedashës”, “popull me tolerancë dhe harmoni”, “popull me tolerancë fetare” etj.
Por në fakt sapo na pickon apo gërvisht pak, befas na del dhe na shfaqet ai damari i popullit ballkanas, tipik gjaknxehtë, aspak tolerant, tepër euforik dhe që nuk mendohemi për ato që themi në moment.
Kjo duket se ka ndodhur me popullin tonë edhe në lidhje me ngjarjet më të fundit, sidomos me ato kriminale, ku pas vrasjes së një djali të vogël 8-vjeçar në mënyrë makabre, befas të gjithë shqiptarët në kor po kërkojnë rikthimin e dënimit me vdekje.
Edhe pse nuk e dinë mirë se çfarë do të thotë kjo, në opinionet që qytetarët japin në rrugë më mikrofonët e mediave, shfaqin dashur pa dashur egërsi, arrogancë, urrejtje dhe aspak tolerancë apo mendim të ftohtë dhe racional.
Në rubrikën që “Priza Tv” sjell çdo javë me opinionet e qytetarëve, pikërisht me “Mikrofoni në Prizë” të gazetares Griselda Katirai, në lidhje me ngjarjet më të fundit kriminale të ndodhura në vend, duket sikur qytetarët janë pothuajse të gjithë në një mendje…
Ata kërkojnë me insistim rikthimin e dënimit me vdekje. Por a janë të gjithë të qartë dhe në një mendje? Këtë ju ftojmë ta zbuloni duke parë videon e mëposhtme realizuar nga “Priza Tv”.
/Priza.al/