Një ngjarje e shëmtuar dhe aspak etike për sytë e turistëve të shumtë në Jug të vendit, ka ndodhur dje në zonën e Qeparoit, në Vlorë, ku një burrë i pastrehë dhe i thyer në moshë, është bërë viktimë e dhunës fizike dhe arrogancës.
I moshuari i varfër është marrë zvarrë nga policia nga një lokal i zonës, ku me gjasë kishte shkuar për të kërkuar lëmosh ose ca më keq ndonjë copë bukë.
Denoncimi është bërë nga një qytetar për portalin “JOQ”, teksa shprehet se, personi i dhunuar ishte një i pastrehë, i cili gjatë gjithë kohës vinte vërdallë nëpër zonë për të siguruar bukën e gojës.
Sipas qytetarit që ka bërë videon, ky i pastrehë kishte raste që ngrinte pak zërin, por që nuk ishte as i dhunshëm dhe as i bezdisshëm për pushuesit.
“Ishte i pastrehe. Vinte vërdallë dhe për të ngrenë u jepnin këto të lokaleve. Per te veshur vishte çfarë gjente tek koshat. Kishte raste qe fliste me veten dhe ngrinte pak zerin por nuk lendonte njeri”,- raporton dëshmitari nga vendngjarja.
Por me sa duket për pronarët e lokaleve që kanë zaptuar bregdetin ky persona ka qenë i “papërshtatshëm” ose i “pabukur” ndaj janë munduar që në mënyrën e tyre plot arrogancë dhe egërsi ta largojnë që aty.
Atyre duket se u ka ardhur në ndihmë edhe një efektiv i Policisë së Shtetit, i cili në vend që të qetësonte situatën e ka bërë atë edhe më agresive dhe të rrezikshme, pasi ka tentuar të nxjerrë armën e brezit për të kërcënuar endacakun që po e tërhiqte zvarrë.
Ndërkohë, disa gra dëgjohen në sfond të thonë: “Gjynah, lëreni!”.
https://www.youtube.com/watch?v=dNFF-x2Vkdg&t=5s
/Video: ‘JOQ’/Priza.al/