Dega e Partisë Socialiste në Shkodër ka nxjerrë një tjetër version për pjesëmarrjen në protestën e Partisë Demokratike. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, dega e PS bën me dije se Shkodra e ka braktisur Berishën dhe për ilustrim ka publikuar një video, ku në momentin e xhirimit, furgoni që do të sillte protestuesit drejt Tiranës është bosh.
POSTIMI I PLOTE I PS SHKODER:
Shkodra e braktisi Sali Berishën, dhe kjo u pa qartë më zë dhe figurë në nisjen “propagandistike” të demokratëve të orëve të para, të cilëve u ka ngelur ora tek politika e vjetër dhe pa asnjë shpresë për të ardhmen e Shqipërisë. U njoftua nisje masive nga qëndra e Shkodrës pranë Teatrit Migjeni, por askush nuk mund t’i hedhë hi syve shkodranëve, të cilët e panë braktisjen e madhe që ky qytet i bën kësaj figure politike që askush s’e do, as ndërkombëtarët e as shqiptarët.
Të veshur me petkun e shoqërisë civile, Partia Demokratike nuk do të mbulojë “diellin me shoshë”, por në mes të ditës shkodranët kanë kuptuar se kjo protestë është vetëm për interesin personal të Sali Berishës dhe të asnjë shqiptari tjetër.
Koha e mashtrimeve me furgonë dhe autobusë, të mbushur me militantë dhe administratë ka përfunduar, shqiptarët dhe shkodranët e dinë mirë këtë fakt pasi e kanë vuajtur në kurrizin e tyre. Sali Berisha dhe Partia Demokratike po luan me ato pak njerëz që i kanë ngelur, por edhe kjo formë do të marrë fund njeherë e mirë!