Shqipëria do të strehojë rreth 2000 refugjat afganë që sipas qeverisë shqiptare, “janë bashkëpunëtorë të NATO-s dhe SHBA-ve”.
Edhe pse qeveria e Shqipërisë është shprehur e gatshme të presë afganët fillimisht u tha vetëm për disa qindra syresh, por më pas numri u rit në rreth 2000 individë.
Një pjesë e tyre pritet të vendosen në “Qytetin Studenti” në Tiranë dhe një pjesë tjetër në Durrës pa u konfirmuar ende vendndodhja e saktë.
Ndërkohë, në bazën ushtarake të Rinasit ka nisur ngritja e një kampi tendash, që sipas burimeve, do të përdoren për marrjen në pyetje dhe formalitetet të tjera paraprake për refugjatët afganë që do të mbërrijnë.
Përveç Shqipërisë, një pjesë e punëtorëve afganë, që kanë punuar me forcat e huaja, do të shkojnë edhe në Kosovë, njofton “REL” në kronikën e mëposhtme, ku pasqyron zonat ku do të dërgohen fillimisht qytetarët afganë.
Ata do të qëndrojnë në këto vende përkohësisht, derisa të analizohet në tërësi dokumentacioni për shpërngulje në SHBA.
Talibanët kanë pretenduar fitore më 15 gusht, pasi kanë marrë kontrollin e kryeqytetit, Kabulit, pas gati 20 vjetëve të dhënies fund të prezencës ushtarake të forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.
/Priza.al/