Pas 17 vitesh punë kërkimore, shkencëtarët mendojnë se kanë zbuluar ujin më të vjetër në botë. Vendi i zbulimit ndodhet në një minierë të Ontarios, në Kanada, e quajtur “Kidd Creek Mine”. Ekipi i Universitetit të Torontos, pasi ka analizuar disa mostra nga uji i cili qëndronte midis shkëmbinjve, ka zbuluar se është 1.6 miliardë vjet i vjetër.
Kontributin kryesor në këtë zbulim e ka gjeologjistja Barbara Sherwood. Për herë të parë, ajo dhe kolegët e saj kanë vizituar këtë minierë në vitin 1992. Ato janë rikthyer disa herë në këtë vend, në kërkim të ujit të bllokuar midis shkëmbinjve të minierës.
Ajo dhe ekipi i saj gërmuan deri në 2.4 kilometra nën tokë, mes galerive ekzistuese dhe tuneleve të reja, drejt ujit në fjalë. Ata shpjegojnë se aroma e tij ishte shumë e fortë dhe kutërbonte për shkak të përbërjes së lartë me kripëra.
Pas matjeve, dendësia e kripërave ishte rreth 10 herë më e lartë se ujit të detit. Mosha e vërtetë e ujit nuk ishte menjëherë e kuptueshme për studiuesit. Por pas hulumtimeve të mëtejshme, ekipi arriti të përcaktojë përafërsisht moshën e tij.
Shkencëtarët kuptuan se bëhej fjalë për ujë “të moshuar”, në momentin që zbuluan brenda tij bakterie dhe mikrobe të llojit që gjenden vetëm në thellësitë më ekstreme të oqeaneve.
Doza e siguruar është transportuar dhe ruajtur në Muzeun Shkencor Kombëtar kanadez, si artefakti më i vjetër aty. Uji besohet se është 1.6 miliard vite, falë mbrojtjes që i kanë siguruar shkëmbinjtë dhe nuk e kanë lejuar të avullojë.
U nevojiten katër vjet prova rigoroze, për të konfirmuar një moshë të saktë për ujin. Disa mostra u dërguan në Universitetin e Oksfordit, për të konfirmuar dyshimet e tyre. Matja nga spektometri i shkencëtarëve të këtij universiteti, tregoi se uji ishte në të tillë formë prej së paku 1.6 miliard vite.
Burimi i lajmit: Euronews. Përshtati Priza.al