Ka përfunduar biseda mes presidentëve të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, Vladimir Putin dhe Joseph Biden. Ajo zgjati dy orë.
Takimi u zhvillua me video-lidhje dhe ishte e mbyllur për publikun.
Gazetarëve iu tregua vetëm fillimi i takimit, i cili është i dyti mes liderëve të dyja vendeve. Ky i fundit ishte në Gjenevë në qershor të këtij viti, raporton cnn.
“Më vjen mirë që ju shoh sërish”, tha Biden, duke shprehur shpresën se takimi i radhës do të jetë live. “Ju përshëndes zoti President”, tha Putin duke buzëqeshur, i ulur në një tavolinë të madhe përballë një ekrani që tregon Biden.
Putin e zhvilloi bisedën nga rezidenca në Socchi, ndërsa Biden ishte në një dhomë të Shtëpisë së Bardhë të quajtur “Situation Room”, e cila është e mbyllur për mediat. Shtëpia e Bardhë nuk ndau foto nga fillimi i takimit, raporton nytimes.
Vladimir Putin i kërkoi Joe Biden garanci se NATO nuk do të zgjerohet drejt lindjes gjatë një bisede këtë pasdite, tha Kremlini.
“NATO po bën përpjekje të rrezikshme për të përdorur territorin ukrainas dhe për të zhvilluar aftësitë e saj ushtarake në kufijtë tanë, prandaj Rusia është seriozisht e interesuar në sigurimin e masave mbrojtëse që do të parandalojnë zgjerimin”, tha Kremlini në një deklaratë.
Moska e përshkroi si “të ndershëm dhe profesional” shkëmbimin e pikëpamjeve midis dy presidentëve, të cilët “duke marrë parasysh përgjegjësinë e tyre të veçantë për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtardo të vazhdojnë dialogun dhe kontaktet e nevojshme”.
Biden, sipas një deklarate të Kremlinit, iu referua “lëvizjeve të supozuara kërcënuese të trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën” dhe përshkroi sanksionet që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë gati që të vendosin nëse situata përshkallëzohet.
Nga ana e tij, Putin shprehu shqetësim serioz për “veprimet provokuese” të Kievit në rajonin Donbas të Ukrainës lindore.
Të dy presidentët ranë dakord që bashkëpunimi i vendeve të tyre nuk është në nivel të kënaqshëm, ndërsa Putin i sugjeroi Biden-it që të hiqen kufizimet në funksionimin e misioneve të tyre diplomatike. Ata iu referuan edhe aleancës së tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe theksuan se sakrificat e bëra atëherë nuk duhen harruar dhe se marrëdhënia duhet të shërbejë si shembull për ndërtimin e kontakteve të tyre.
Biden dhe Putin më në fund shprehën shpresën se bisedimet për programin bërthamor të Iranit, të cilat rifilluan në Vjenë në fund të nëntorit, do të çonin në një zgjidhje të pranueshme për të gjithë.
Pas video-takimit me homologun e tij rus, Putin, Biden do të ketë biseda telefonike me liderët e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Biden do të zhvillojë bisedime me presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelaren gjermane në largim, Angela Merkel dhe kryeministrat e Italisë dhe Britanisë së Madhe, Mario Draghi dhe Boris Johnson.
Shtëpia e Bardhë kujtoi se Biden bisedoi me këta liderë të hënën dhe u ra dakord që ata të mbeten “në kontakt të ngushtë”.
/Burimi: CNN/ Përshtati: Priza.al/