Policia nxori sot me forcë jashtë stadiumit “Elbasan Arena” një grup tifozësh zviceranë që kishin ardhur për të parë ndeshjen Partizani-Basel e vlefshme për kualifikueset “Conference league”.
Tifozët e organizuar të skuadrës zvicerane, nisën kore para sfidës dhe në ato momente u rrethuan menjëherë nga forcat e rendit. Pas diskutimesh mes palëve për rreth 10 minuta, situata përshkallëzoi pasi forcat e rendit ndërhynë kundër ultrasve të Bazelit duke i larguar nga stadiumi, duke shkaktuar një situatë kaotike para startit të sfidës.
Autoritetet kërkuan largimin e tifozëve pasi UEFA ka vendosur që në ndeshjet e “Conference League” të mos ketë spektatorë nga skuadrat udhëtuese.
Kjo ka krijuar një situatë tensioni me sportdashësit zviceranë, të cilët janë përplasur me policinë për disa minuta përpara se të detyroheshin të dilnin për jashtë. Partizani humbi 3-0 ndeshjen e parë në Zvicër. Përballja me Bazelin është e vlefshme për turin e dytë eliminator për “Conference League”, turne i nisur për herë të parë nga UEFA këtë sezon dhe që finalen e diskuton në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
/Burimi videos: Panorama Sport/