Jo vetëm Shqipëria po blen dronë nga Turqia, por tashmë edhe Kosova ka nënshkruar një kontratë të re me këtë shtet për blerje armatimi të ri.
Do të jenë plot 14 automjeteve ushtarake të blinduara taktike me pajisje dhe armatim që do të jenë njësia më e re e ushtrisë kosovare, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë burime zyrtare brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Agjencia shtetërore e lajmeve “Anadolu”, gjithashtu ka njoftuar se eksporti i parë i makinave turke të blinduara të tipit “Vuran”, të prodhuara në bashkëpunim me firmat e mbrojtjes në Turqi, do të arrijnë në Kosovë.
Sipas burimeve brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës, kjo e fundit ka kontraktuar blerjen e katër automjeteve të tipit “Vuran” me tërheqje 4×4, në një kohë që dhjetë të tjerat janë të së njëjtës kompani, por të tipit “KIRPI” (iriqi), të pajisura me armatime.
“Të gjitha këto automjete të blinduara janë pajisje shumëfunksionale. Një pjesë e tyre pritet të arrijnë në Kosovë në fillim të vitit të ardhshëm”,- tha burimi në fjalë.
Sipas informacioneve që ka siguruar agjencia shtetërore e lajmeve “Anadolu”, Kosova do të jetë shteti i parë i huaj, që do të përdorë këto automjete të blinduara me tërheqje të tipit 4×4.
Në njoftimin e agjencisë “Anadolu”, thuhet se në fazën e parë, dy njësi të automjeteve të blinduara do të prodhohen dhe do të dërgohen në Kosovë.
Automjetet “Vuran” prodhohen nga kompania komerciale turke për makina ushtarake, “BMC Otomotiv” në bashkëpunim me firmën më të madhe për pajisjet e mbrojtjes, “Aselsan”.
Ato përdoren prej kohësh nga forcat e sigurisë së Turqisë dhe kanë lëvizshmëri dhe qëndrueshmëri të lartë, si dhe mund të operojnë në kushte të rënda klimatike dhe terrene të vështira.
/Burimi: TCh/