Video+Foto/ Cikloni Apollo ‘gjunjëzon’ Siçilinë! Tetë muaj reshje shiu ranë në vetëm tetë orë

Numri i dëmeve vazhdon në Sicilinë Lindore për shkak të kushteve të këqija të motit. Shiu i dendur  shkaktoi shembjen e një pjese anësore të një ure në një rrugë provinciale. Këtë e ka bërë të ditur bashkia e Katanias.

Rrugët u përmbytën dhe linjat e trenave u bllokuan derisa cikloni Apollo iu afrua ishullit italian të Sicilisë të premten, pasi një jave stuhish vdekjeprurëse. Tre persona kanë vdekur tashmë këtë javë dhe udhëheqësi rajonal iu tha njerëzve në ishull të qëndrojnë në shtëpi për të shmangur atë që u përshkrua si një stuhi mesdhetare.

Kryesisht ka pushtuar provincën e Sirakuzës dhe në veçanti Augusta, ku kanë rënë 150 milimetra shi: qyteti është i izoluar për shkak të rrugëve të komunikimit të përmbytura, me dallgët që ngrihen për mbi katër metra, të shtyra nga erërat e stuhishme që shkojnë nga 100 km/orë deri në 130 km/orë në det të hapur dhe me rreth 80 familje të bllokuara në shtëpi nga vërshimi i përroit të Porcarisë.

Shërbimet e urgjencës shpëtuan disa persona nga shtëpitë e dëmtuara nga stuhia. Tetë muaj reshje shiu ranë në Sicili në vetëm tetë orë, thanë vullnetarët e mbrojtjes civile, derisa Apollo shkatërroi bregun jugor dhe lindor.

Ekipet e kërkim shpëtimit po punojnë prej ditësh pa pushim. Në Sicili moti i keq ka shkaktuar kaos.

Cikloni Apolo po shkatërron zonën lindore të ishullit ku mbrojtja civile rajonale ka dhënë alarmin e kuq. Është një situatë emergjente, sidomos në Sirakuzë dhe Katania. Një stuhi që ka shkaktuar dy viktima deri tani. Në territorin e Augustës 80 familje janë totalisht të izoluara për shkak të nivelit të lartë të ujit. Hyrjet në qytet janë totalisht nën ujë. Kryebashkiaku Di Mare bëri të ditur se vetëm autobusët mund të lëvizin.

Zjarrfikësit po ndihmohen nga vullnetarët e mbrojtjes civile. Kryebashkaiku i Augustës shpreh shqetësim dhe për dëmet materiale të shkaktuara nga cikloni. Ai tha se kur emergjenca të ketë përfunduar, duhet të kuptohen kushtet në të cilat ndodhet qyteti, dhe prioritet do të jetë gjendja e shkollave.

Janë të shumta rrugët e përmbytura nga uji, shtëpitë dhe dyqanet të cilave nuk mund t’u afrohesh. Janë ndërprerë lidhjet mes Katanias dhe Mesinës. Reshje, stuhi të forta dhe erëra me shpejtësi të lartë kanë shkaktuar përmbytje. Autoritetet vendore përsërisin apelet për banorët, duke i thënë të mos dalin nga shtëpitë, sidomos në zonat më të prekura. Sipas meteorologëve pritet që të shtunën të nisë dhe përmirësimi i motit.

Qindra ndërhyrje të Zjarrfikësve edhe me gomone për të shpëtuar njerëzit e bllokuar nga uji edhe më shumë se një metër i lartë apo për të pastruar rrugët nga pemët e rrëzuara nga stuhia. Shi i dendur ka rënë edhe në Raguzë ku nga mesnata kanë rënë deri në 120 mm. Situatë e rëndë edhe në Avola me spitalin e përmbytur.

/Burimi: BMeteo/ Përshtati: Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *