“Rruga e Arbrit” është investimi më i madh infrastrukturor në Shqipërinë e 30 viteve të fundit pas atij të “Rrugës së Kombit” që u ndërtua në vitet e qeverisjes së Partisë Demokratike.
Por projekti i “Rrugës së Arbrit” i cili gjithashtu nisi në vitet kur në qeveri ishte PD-ja dhe u la i gatshëm në masën 50% të punimeve, ishte një zotim që në dy mandate resht u mor nga PS-ja dhe qeveria “Rama” për përfundimin e saj dhe për lidhjen e zonës së Dibrës me Tiranën.
Në këto 8 vitet e fundit për këtë projekt të papërfunduar ende janë hedhur miliona euro dhe ky investim zuri vendin e parë për nga financimi i qeverisë socialiste në dy mandate.
Madje qeveria socialiste u orvat që të merrte një kredi gjigante nga Kina, për të rritur edhe më shumë borxhin e jashtëm të vendit, vetëm e vetëm që ta përfundonte këtë projekt të madh dhe të vështirë infrastrukturor.
Por sërish “Rruga e Arbrit” është shumë larg përfundimit të saj, në një kohë që kompania ndërtuese “Gjoka Konstruksion” e cila hare pas here kërkon para shtesë nga buxheti për ta përfunduar, nuk ka arritur që të mbyllë punimet as në ato pjesë që i ka marrë thuajse të gatshme nga qeveritë e mëparshme.
“Priza.al” i është kthyer sërish sot kësaj rruge, pasi vetëm një ditë më parë gazetarët tanë shkuan dhe bënë një vëzhgim vetëm në një segment fillestar të kësaj vepre.
Vetëm nga një kalim i thjeshtë me makinë nëpër pjesën e parë të kësaj rruge nga dalja e Tiranës (në zonën e Tufinës) deri tek tuneli në Shkallën e Tujanit, ttregon qartë talljen e kompanisë “Gjoka” me këtë vepër, në një kohë që milionat e eurove janë hedhur lum nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë.
Si po tallet “Gjoka” me rrugën
“Priza.al” realizoi një ditë më parë një vëzhgim duke dokumentuar me foto dhe video se si segmente të “Rrugës së Arbrit” që pretendohen tashmë të përfunduara dhe të asfaltuara, janë në fakt si shumë vite më parë kur u hap transeja e kësaj rruge.
Janë disa kilometra që nisin nga dalja e kryeqytetit të cilat edhe pse u pretendua shtrimi i tyre, fotot dhe videoja e realizuar nga bashkëpunëtorët e “Priza.al” tregon qartë se si kompania “Gjoka Konstruksion” ka mashtruar.
Që disa kilometra përpara se të mbërrish në tunelin e “Shkallës së Tujanit” (rrugë e hapur bashke me tunelin dhe me disa vepra arti si ura etj., të ndërtuara nga qeveria “Berisha”), situata është njësoj si në fillimin e punimeve.
Asnjë kovë asfalt nuk është hedhur në atë rrugë, ku fotot dhe video flasin qartë, e për më tepër mungojnë sinjalestika, si dhe elementët e sigurisë rrugore si në ura ashtu edhe në skarpatet anës lumit të Tiranës.
Rruga që ngjason me një “rrugë lufte” duke qenë që kalon nëpër një zonë malore, të ngjan me tepër me rrugët e Afganistanit se sa me ato të Shqipërisë, ku pretendohet të arrihen standarte të larta.
Por edhe një segment përtej tunelit të Tujanit pranë fshatit Zall-Dajt, edhe pse është asfaltuar me një shtresë nga kompania “Gjoka”, përsëri mbahet i bllokuar me blloqe betoni, postbllok dhe kapule dheu të vendosura në rrugë, për të mos mundësuar kalimin e mjeteve në të dhe qarkullimin në këtë zonë.
Arsyet janë dy: E para kompania “Gjoka” pretendon se punimet janë në vijim përgjatë kantierit dhe për këtë nuk ka vendosur elementë sigurie rrugorë dhe sinjalestikë. E dyta, kalimi i mjeteve dhe ardhja e vizitorëve në këto zona do të nxirrte në pah mashtrimin si me zvarritjen e punimeve ashtu dhe me cilësinë e dobët të tyre.
Segmenti Tiranë- Zall-Dajt u deklarua i hapur dhe i përfunduar një vit më parë
“Nis shtrimi i asfaltit në kilometrat e parë nga Tirana në Rrugën e Arbrit”. Kështu raportohej në kronikat televizive të një viti më parë, kur u tha se në segmentin e parë të “Rrugës së Arbrit” kishte nisur asfaltimi dhe se do të bëhej e “aksesueshme” për të gjithë.
Por videot dhe fotot që “Priza.al” ka realizuar tregojnë se edhe kjo gjë ishte vetëm një punim i pjesshëm sa për fushatë, apo propagandë, në një kohë që u pasua nga mashtrimi i radhës së kompanisë “Gjoka”.
Nga ana tjetër pati vitin e kaluar edhe një lajm të dhënë nga ana e bashkisë së Dibrës, e cila e cilësonte “Rrugën e Arbrit” si veprën më të rëndësishme infrastrukturore dhe se kishin nisur që të shtroheshin edhe kilometrat e parë.
“Nis shtrimi i asfaltit në kilometrat e parë nga Tirana në Rrugën e Arbrit, veprën më të rëndësishme infrastrukturore, të shumëpritur nga ne dibranët, e cila përveçse do të shkurtojë e lehtësojë ndjeshëm lëvizjen drejt Tiranës, do të sjellë tjetër impuls zhvillimi për Dibrën!”,- thuhej në njoftimin e atëhershëm të bashkisë Dibër.
“Rruga e Arbrit” është në fakt një vepër inxhinerike komplekse, e cila sipas premtimeve do të dorëzohet brenda vitit 2021, por edhe pse mund të asfaltohen disa kilometra kryesisht në segmente fushore, problem mbeten veprat madhore të saj si tunelet dhe urat.
Kryeministri Edi Rama, inspektoi në prill të vitit të kaluar punimet në urën e Vashës, e cila është më e larta në rajon, 152 m, pjesë e Rrugës së Arbrit.
Sa i takon punimeve, pretendohet se kompania “Gjoka” ka hapur edhe 5 nga 6 tunelet dhe po punohet në tunelin kryesor të Murrizit, ku për shkak të formacioneve gjeologjike do të ecet paralelisht me një bypass panoramik për të mos shtyrë afatin e hapjes së rrugës që duhet të jetë vjeshta e këtij viti.
Nga 70 km rrugë që ka “Rruga e Arbrit” dhe 6 tunele, janë përfunduar sipas të dhënave zyrtare 5 prej tyre dhe më shumë se 54 km janë të përshkueshme.
Në ditët në vijim, “Priza.al” do t’u sjellë fakte dhe prova të reja, se si kjo rrugë edhe pse deklarohet se po përfundohet, është shumë larg përmbylljes së punimeve dhe dorëzimit të saj.
/Priza.al/