Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden u takua ditën e sotme me Papa Françeskun dhe zyrtarë të tjerë në Vatikan. Ajo që tërhoqi më tepër vëmendjen gjatë përshëndetjeve të presidentit amerikan dhe zyrtarëve, ishte prezantimi i tij si “bashkëshorti i Jill”.
“Përshëndetje, unë jam bashkëshorti i Jill-it, është bukur të kthehesh këtu,” iu tha Biden secilit prej tyre teksa shtrëngonin duart.
Presidenti Biden dhe zonja e parë, Jill janë të martuar prej 44 vitesh. Me sa duket kjo ishte mënyra që ai zgjodhi për të shprehur respektin e tij ndaj bashkëshortes.
Rikujtojmë se kryeministri italian Mario Draghi dhe presidenti amerikan, Joe Biden kanë zhvilluar këtë të premte një takim në Romë. Bisedimet u fokusuan në bashkëpunimin mes presidencës italiane dhe SHBA-ve për menaxhimin e sfidave më të rëndësishme globale, si lufta kundër pandemisë, luftimi i ndryshimeve klimatike si edhe zhvillimet ekonomike. Të dy krerët iu referuan mundësive të ofruara për rimëkëmbjen ekonomike. Draghi dhe Biden diskutuan gjithashtu për sigurinë transatlantike ndërkombëtare, duke u fokusuar kryesisht në Afganistan dhe për situatën e paqëndrueshmërinë në Mesdhe dhe në Libi, shkruajnë mediat e huaja.
/Priza.al/