Një punonjës i Administratës rajonale të Zonave të Mbrojtura Lezhë është arrestuar pasi ishte shpallur në kërkim për shpërdorim detyre.
Në pranga është vendosur shtetasi Pashk Ndoka, 61 vjeç me detyrë përgjegjës sektori i AdZM-së Lezhë pasi ai akuzohet se në bashkëpunim me 4 zyrtarë të tjerë, kanë lejuar dëmtimin e lagunës së Kune-Vainit.
Njoftimi i policisë:
Lezhë / Vijon operacioni policor i koduar “Tjetërsimi i Lagunës”, për goditjen e veprimtarive të paligjshme, në zonat e mbrojtura.
Vihet në pranga një tjetër punonjës (Përgjegjës Sektori) i AdZM, Lezhë, i shpallur në kërkim, pasi dyshohet se duke shpërdoruar detyrën, ka lejuar dëmtimin e lagunës së Kune-Vainit.
Shkon në 5 numri i funksionarëve publikë, të ndaluar në kuadër të këtij operacioni.
Në vijim të operacionit “Tjetërsimi i Lagunës”, i iniciuar në qershor të këtij viti, për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të përfshirë në dëmtimin e zonës së mbrojtur “Laguna e Kune-Vainit”, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, kanë vijuar hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Si rezultat, është kapur dhe ndaluar shtetasi Pashk Ndoka, 61 vjeç, banues në Lezhë, me detyrë Përgjegjës i Sektorit të Monitorimit të AdZM, Lezhë, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Tjetërsimi i Lagunës”.
Për këtë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet se bashkë me 4 punonjës të tjerë të AdZM, Lezhë, të ndaluar më parë në kuadër të këtij operacioni, nuk kanë përmbushur detyrat funksionale të përcaktuara në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, si dhe se me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë sjellë dëmtimin e zonës së mbrojtur të Kune – Vainit, konkretisht të zonës së quajtur “Grykëderdhja e Matkeqës”.
Vijon puna, nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të implikuar në dëmtimin apo keqmenaxhimin e zonave të mbrojtura të qarkut.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.