TIRANË– 154 afganë kanë mbërritur në Shqipëri në 2 fluturime të ndara gjatë orëve të vona të natës së djeshme, ndërsa janë strehuar të Qytetin Studenti. Pjesa më e madhe janë gra dhe zëra të shoqërisë civile, aktivistë dhe studentë.
Avioni i parë që mbërriti në orën 23:07 ishte një fluturim direkt nga Kabuli drejt Shqipërisë, ndërsa fluturimi i dytë që mbërriti pas mesnate ishte tranzit në Doha.
Fillimisht ata u regjistruan në çadrat e ngritura në Rinas e më pas janë shoqëruar drejt konvikteve të Qytetit Studenti, ku do të strehohen përkohësisht. Nga aty do të marrin të gjitha shërbimet shëndetësore të nevojshme.
Në total së bashku me avionin e parë në Shqipëri po strehohen 275 afganë në Qytet Studenti në Tiranë dhe në dy hotele në Durrës. Kryeministri Rama ishte prezent së bashku me ministren e jashtme Xhaçka në Rinas dhe me ambasadoren Yuri Kim, e cila i uroi mirëseardhjen emigrantëve afganë nga bordi i avionit.
Xhaçka u shpreh se shumica ishin gra që u rrezikohej jeta nga talebanët për shkak se kishin ngritur zërin për të drejtat e tyre.
Pritet që në Shqipëri të strehohen 4,000 afganë që do të qëndrojnë rreth 1 vit,derisa të marrin vizën për të udhëtuar drejt SHBA, por nëse dikush dëshiron të qëndrojë përgjithmonë, është i lirë ta bëjë.
/Priza.al/