Zjarri i rënë mëngjesin e sotëm në Majën e Runës, tek Laku i Thive në Malzi është kthyer në një vatër serioze. Komisioni i Mbrojtjes Civile në Kukës e ka parë të arsyeshme ndërhyrjen nga ajri me helikopter për të shuar flakët.
Siç raportohet nga vetë Komisioni i Mbrojtjes Civile në Kukës për shuarjen e flakëve janë angazhuar 10 zjarrfikës, 7 punonjës të pyjores , 8 banorë dhe 15 forca ushtarake të DMR-së Kukës.
Mbi 6 hektarë pyje që i përkasin Zonave të Mbrojtura, janë përfshirë nga zjarri gjatë këtyre javëve të fundit në qarkun e Kukësit. Ndërkohë afro 0.5 hektarë janë shkrumbuar totalisht. Shifrat janë bërë publike nga Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura, Lefter Gjana i cili ndër të tjera shtoi:
‘Gjatë kësaj periudhë në rrjetin e zonave të Mbrojtura të Qarkut Kukës, kemi pasur 5 vatra zjarri. 2 në parkun natyrore Korab-Koritnik dhe tre në Luginën e Valbonës. Kemi djegie plotësisht 0.5 hektarë dhe 5.5 hektarë përshkrim pa dëm ekonomik. Në parkun natyror Korab-Koritnik kemi pasur djegie të parcelave pyjore të llojit ah, ndërsa në luginën e Valbonës dy vatra zjarri ka qenë në sipërfaqe shkëmbore, ndërsa një vatër zjarri ka qenë me pyje ahu. Dëmi ekonomik fatmirësisht ka qenë i vogël, pasi nuk ka qenë djegie plotësisht. Në pjesën ku ka pasur djegie plotësisht duhen të paktën 15-20 vjet të rikuperohen.’- tha Gjana.
Deri më tani, vatra aktive zjarri ka në Has afër lagjes Ahmataj, fshati Nikoliq, në Tropojë dhe në Mirditë. Për shuarjen e flakëve janë angzhuar punonjës të pyjoreve në secilin qytet.
/Priza.al/