Vila e ambasadores Romana Vlahutin që BE bleu 1,6 milionë euro shitet 2,8 milionë euro duke rezultuar një biznes fitimprurës për Bashkimin Europian.
Rezidencat dhe apartamentet e zyrtarëve të lartë nuk kanë patur interes nga publiku, por historia e vilës për ish-ambasadoren Vlahutin rrethohen nga misteri, mister që ka lënë diplomatja rumune e BE-së.
Vetëm se në këtë rast interesi publik lidhet me mënyrën se si shpenzohen taksat e qytetarëve europianë dhe çfarë ndodh me çmimet e rezidencave në Rolling Hills. Rritja e çmimit me 1,2 milionë euro i ka dhënë Bashkimit Europian hijen e një zyre të real estate që merret me biznesin fitimprurës të shit-blerjes së pronave në Shqipëri.
Historia zë fill në 2017 me ambasadoren Vlahutin, për të cilën BE-ja duhet të gjente një rezidencë që plotësonte kushtet e sigurisë për personelin diplomatik dhe kishte një pozitë të favorshme për të lëvizur në kryeqytet.
Vila e përzgjedhur nga administrata e ardhshme shkaktoi polemika pasi Bashkimi Europian bleu një vilë me vlerë 1,6 milionë euro.
Redaksia “Priza.al” ka siguruar foton që shfaqet në tregun e shitjes ku elementi që bie më shumë në sy është sipërfaqja dhe vendi.
Ka qënë sipërfaqja dhe vendi që e detyroi Shërbimin e Jashtëm të BE-së tu përgjigjej pyetjeve nga media duke sqaruar me detaje.
Në media qarkulloi lajmi se Delegacioni kishte patur negociata për një vilë që kushtonte 50% më lirë se rezidenca në Rolling Hills, por Shërbimi i Jashtëm deklaroi se për çështje sigurie u përzgjodh Rolling Hills.
Kur u pyet se kush ishte përgjegjës për blerjen e vilës në zonën e pasanikëve në Rolling Hills, Shërbimi i Jashtëm deklaroi:
“Është praktike aktuale që negociatat te kryhen nga delegacionet, përkatësisht Shefi i Delegacionit apo përfaqësuesit e tij (zakonisht Shefi i Administratës) dhe Divizioni përgjegjës për infrastrukturën në selitë qendrore të shërbimit të jashtëm. Në rastin e blerjes së rezidencës në Shqipëri, çmimi ishte negociuar nga Delegacioni përpara se shefi aktual i Delegacionit të merrte detyrën më 1 tetor 2014.”
Nga përgjigjja rezulton se ambasadorja Vlahutin nuk ka qënë e përfshirë, por kërkesa për vila luksoze janë të pazakonta nga Bashkimi Europian. Në fakt kjo është diferenca e zyrtarëve të huaj me zyrtarët shqiptarë, ata janë të thjeshtë ndërsa zyrtarët shqiptarë shquhen për shpenzime luksi nga fondet publike.
Ishte luksi ai që ngriti pyetjen për delegacionin e BE-së nëse zyra e Antikorrupsionit në BE (OLAF) kishte nisur hetim për çështjen e rezidencës.
Asokohe zyra e BE-së mohoi zërat për ndonjë hetim të mundshëm nga zyra e OLAF, por shtoi se edhe nëse do kishte ndonjë hetim, OLAF ruan privatësinë e hetimit për të mbrojtur të dhënat personale të personave të përfshirë.
Sot historia përsëritet, por duke krijuar dyshime që vijnë nga tregu i shit-blerjes. Si është e mundur që një vilë, e cila para 5 vitesh kushtonte 1,6 milionë euro sot kushton 2,8 milionë euro?
Situata bëhet më e komplikuar kur zbulon se ka mospërputhje të çmimit të vilës me tregun aktual në Rolling Hills. E njëjta vilë, me sipërfaqe më të madhe rrethimi dhe banimi, me të njëjtin numër katesh në Rolling Hills shitet me çmimin 2,2 milionë euro, gati 600 mijë euro më pak.
*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*