Violinisti shqiptar, Olen Cesari u dekorua nga Presidenti i Republikës Italiane si “Commendatore dell’Ordine della Stella d’Italia”.
Ky titull i është akorduar këtij artisti me përmasa botërore nga presidenti i Italisë, Sergio Mattarella dhe i është dorëzuar artistit durrsak nga ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci në një ceremoni ku ishin të pranishëm personalitete të vendit, artistë të shquar dhe diplomatë.
Olen Cesari konsiderohet si një nga violinistët më të mëdhenj në botë. Kompozitor eklektik dhe virtuoz i violinës, ai është një artist i jashtëzakonshëm.
I lindur në Durrës ai u diplomua në moshën 14 vjeç në Institutin e Lartë të Artit në Tiranë. Në moshën 17 vjeç u diplomua me nderime nga Santa Cecilia (deri më sot ai është violinisti më i ri me një diplomë në historinë e konservatorit romak) dhe vitin tjetër në Mozarteum në Salzburg.
Olen ka luajtur në tempujt e mëdhenj të muzikës botërore, nga teatri i lashtë i Taormina në Wiener Konzerthouse në Vjenë, nga Carnegie Hall në New York në Auditorium Parco della Musica në Romë, nga Teatri Le Palace i Parisit në Teatromonumental RTVE në Madrid.