Paga mesatare bruto në Shqipëri, për tremujorin e parë të këtij viti, ka pësuar një rënie të lehtë krahasuar me tremujorin paraardhës të vitit të kaluar. Kështu, gjatë tremujorit të parë të vitit 2022, paga mesatare bruto mujore fiksohet në 59,242 lekë, nga 59,565 lekë që ishte në tremujorin e katërt të vitit 2021, duke shënuar një rënie me 0.5%, referuar të dhënave të INSTAT.
Paga mesatare bruto prej 59,242 lekësh, përkthehet në 48,805 lekë në muaj ose rreth 410 euro. Mjafton të rikujtojmë se këto vlera vijnë pak kohë pas publikimit të listës me pagat e 630 mijë qytetarëve të punësuar në sektorin privat dhe administratës u bënë publike. Asokohe, në fund të vitit të kaluar, me rrjedhjen e pagave, më së shumti ra në sy informaliteti i lartë, pra paga jo të deklaruara, ose të deklaruara vetëm pjesërisht.
Nëse ndryshimin në pagë sërish do ta krahasojmë me tremujorin paraardhës, sipas aktiviteteve, shohim se pagat e individëve të punësuar në sektorë si: “Mbrojtje, sigurim social i detyrueshëm, arsim, shëndetsi, administratë publike, aktivitete të punës sociale”, “Industri”, “Arte, argëtim dhe aktivitete të tjera shërbimi”, kanë pësuar rënie. E kundërta ka ndodhur me pagat e individëve të punësuar në sektorë si: “Bujqësi”, “Ndërtim”, “Tregti”, “Transport”, “Informacioni” dhe “Aktivitete financiare dhe të sigurimit” të cilët kanë pasur një rritje në pagat mesatare mujore bruto.
Nëse po pyesni veten n.q.s paguhet më tepër një punonjës në shtet apo në sektorin privat, përgjigjen e japin statistikat. Sipas INSTAT, paga mesatare mujore e një punonjësi të punësuar në sektorin shtetëror është 67,045 lekë, perkundrejt 55,638 lekë për punonjesit e sektorit privat, me një diferencë prej 11,407 lekësh.
Por cilat janë profesionet dhe kategoritë e ekonomisë që ofrojnë pagat më të larta për punonjësit?
Sipas shifrave më të fundit të Institutit të Statistikave, profesionet më të mirë-paguara janë “Menaxherët, ligjvënësit, nënpunësit e administratës publike dhe drejtorët” të cilët mbajnë vendin e parë me një pagë mesatare bruto prej 102 mijë lekë. Këta të fundit ndiqen nga “Specialistët me arsim të lartë” me 78 mijë lekë, “Teknikët dhe specialistët në zbatim” me 66 mijë lekë, “Forcat e armatosura dhe nënpunësit” me 60-65 mijë lekë. Në fund të listës renditet kategoria e “Punëtorëve të thjeshtë” me një pagë mesatare bruto prej 36 mijë lekësh. Nëse do t`i referohemi pagave sipas gjinisë, meshkujt kryesojnë si më tepër të paguar pothuajse në të gjitha kategoritë, në raport me femrat.
Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, në sektorin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit është 93 % më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar. Më pas ndjek “Informacioni dhe Komunikacioni” me 71%, ndërsa në vend të tretë janë “Administrata Publike” dhe sektori i “Pasurive të Paluajtshme” përkatësisht me 15% dhe 13% mbi pagën mesatare bruto . Në vend të fundit renditet “Bujqësia, pyjet dhe peshkimi” me -35% nën vlerën e pagës mesatare bruto./Scan