Kryebashkiaku, Erion Veliaj është takuar me studentët të cilët sapo kanë ardhur për të studiuar në Tiranë.
Në këtë takim, Veliaj ka prezantuar guidën studentore përmes të cilës studentëve i ofrohet që të gjejnë me lehtësi shërbimet që ofron kryeqyteti.
Sakaq ka përsëritur dhe njëherë se studentëve do t’i mundësohet që të pajisen me abone falas dhe t’i subvencionohet qëndrimi në konvikte.
“Unë besoj se ardhja e studentëve, jo vetëm që s’duhet parë me këtë paragjykim, përkundrazi, është si dikush që të vjen mik në shtëpi, patjetër, bëhemi pak më ngushtë në shtëpi sepse me nisjen e vitit të ri akademik Tirana rritet me 10% të popullsisë, por unë besoj se kjo është një gjë e mire: Rriten shërbimet, rritet fuqia punëtore, rriten talentet e reja, rritet qyteti. Mjerë qytetet që zvogëlohen e shuhen, jo qytetet që rritet e zmadhohen. Ne duam që ky tranzicion, nuk ka rëndësi nëse dikush vjen nga Tepelena apo Tropoja, të jetë sa më i lehtë. Këtë javë, në Këshill Bashkiak, do kalojmë një vendim për ta bërë falas transportin publik për studentët. Mjafton që studentët të marrin Kartën e Studentit, e cila është po ashtu falas, që të numërojmë sa abone janë dhënë, për të pasur pastaj subvencionin të mbuluar 100% nga bashkia. Gjithashtu, do të subvencionojmë deri në 50% pagesën për konviktet. Shumë çmime janë rritur dhe duke paguar 50% të shumës, praktikisht u heqim një barrë. Duam që ta mbajmë ne si bashki këtë barrë, edhe pse studentët që jetojnë në konvkikte nuk janë rezidentë të Tiranës, por në një të ardhme do jenë qytetarë të saj”, tha ai.