Viti i ri shkollor/ 1734 mësues do të konkurrojnë për vendet e lira në mësimdhënie

Teksa viti i ri shkollor pritet që të nisë në shtator, 1734 mësues të tjerë do të konkurrojnë përgjatë dy javëve në vijim për të fituar të drejtën e mësimdhënies në arsimin publik të vendit tonë.

Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka bërë publike listën ku konfirmohen 567 kandidatët që do të kalojnë në testim për vendet e lira të punës si mësues në arsimin parashkollor, 379 mësuesit që do të konkurrojnë për vendet e lira të punës në lëndën e biologjisë, si dhe 788 arsimtarët që janë në garë për kuotat e lira si mësues në arsimin fillor në të gjitha rrethet e vendit.

Testimet për të treja këto profile do të zhvillohen ndërmjet datave 15 dhe 26 gusht, sipas kalendarit të miratuar nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit në secilin specialitet. Sikundër ka ndodhur edhe me lëndet e tjera, për secilin kandidat është përcaktuar data dhe ora konkrete se kur duhet të paraqiten në ambientet e Qëndrës së Shërbimeve të Arsimit për të zhvilluar testin e informatizuar. Datat dhe oraret e testimit për kandidatët që plotësojnë kushtet të hyjnë në testin e punësimit në profilin arsim parashkollor, biologji dhe arsim fillor, i gjeni të detajuara në listën bashkangjitur shkrimit. Kush nuk paraqitet në orarin e përcaktuar e humbet të drejtën e konkurrimit për këtë vit, çka do të thotë se duhet të presë sezonet e radhës për të hyrë sërish në garë për punësimet e reja.

Për të mos rrezikuar përjashtimin nga gara, në ditën e testimit, kandidati duhet të jetë i pajisur me: letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal dhe kopje të tyre, si dhe formularin e pjesëmarrjes në testimin e informatizuar të lëshuar nga komisioni i vlerësimit të dosjeve në DRAP. Ndërkohë që në ambientet e provimit duhet të paraqiteni të paktën 30 minuta përpara orarit të përcaktuar për zhvillimin e testit.

Lidhur me përmbajtjen e testit, autoritetet sqarojnë se do të jetë i strukturuar në dy pjesë. Pjesa e parë përmban pyetjet në njohjen e dokumenteve zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, njohjen e programeve lëndore përkatëse, metodologjinë e mësimdhënies dhe të të nxënit, në përgjithësi dhe të lëndës, etikën dhe komunikimin e mësuesit në institucionin arsimor, aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe.

Ndërsa pjesa e dytë do të ketë pyetje rreth njohurive shkencore të lëndës sipas programit orientues përkatëse.

Vlerësimi i kandidatëve, të cilët aplikojnë për t’u punësuar në vendet e lira që krijohen në profilin e tyre në qytetet ku kanë aplikuar, përbëhet nga pikët që ai ka siguruar në fazën e parë të konkurimit nga pikët e dosjes, si dhe pikët e fituara nga testimi.

Rezultati i këtyre dy treguesve përbën edhe pikët finale të mësuesit. Mësuesit që kanë siguruar nivelin më të lartë pikëve do të jenë të parët që do të ftohen të zgjedhin vendet e punës, sipas kuotave të lira të raportuara për çdo njësi vendore të arsimit në vend.

“Renditja përfundimtare për çdo lëndë bëhet sipas pikëve totale që nxirren nga shuma e pikëve të marra në vlerësimin e dosjes së aplikimit dhe pikëve të marra në testimin “Mësues për Shqipërinë 2022”. Renditja fillon me kandidatin me më shumë pikë dhe vijon në rendin zbritës. Kandidati i cili në renditjen e përgjithshme sipas profilit, apo lëndës është renditur me numrin më të madh të pikëve, ka të drejtën të zgjedhë i pari vendin e lirë të punës ku do të lidhë kontratën. Ky kandidat me pikët më të larta, ftohet nga komisioni dhe zgjedh një nga vendet e lira me ngarkesë të plotë, të pjesshme, apo dhe të përhershme, sipas preferencave të shprehura edhe prej tij vetë”, sqarohet në udhëzimin e miratuar më herët nga MAS.

Listat:

Arsim fillor

Arsim parashkollor

Biologji

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *