Ministria e Arsimit kërkon së paku 1.5 – 2 miliardë lekë (rreth 16 milionë euro) fonde shtesë të cilat i nevojiten për blerjen e pajisjeve elektronike, kompjuterë, laptop, apo tableta për te rritur standardin në mësimdhënie.
Kërkesa tashmë është paraqitur në Ministrinë e Financave për ta marrë parasysh në hartimin e buxhetit afatmesëm 2022-2023.
Deri tani të gjitha tentativat për të dixhitalizuar proceset e mësimdhënies në shkolla nuk ia kanë arritur qëllimit, duke shkaktuar një kosto të lartë gjatë pandemisë ku nxënësit në të gjithë vendin për dy vite shkollore morën mësime në distancë.
Eksperti i çështjeve arsimore, Ndriçim Mehmeti, ka pohuar se, asnjë nga projektet e mëparshme për dixhitalizimin nuk u zbatua edhe pse 150 klasa të arsimit fillor në vend ishin projekt pilot për mësimin digjital. Në vitin 2015 u përzgjodhën 60 shkolla për aplikuar metodën digjitale të mësimdhënies. Projekti u shtri 43 në zona të mëdha urbane dhe 17 shkolla në Njësi Administrative relativisht të vogla. Çdo shkollë pilot do të furnizohej me 2 laboratorë digjitale të cilët përfshinin projektor interaktiv, 40 tableta për nxënësit, 15 tableta për sallën e mësuesve dhe 3 laptop për mësuesit. Nga ky projekt do të përfitonin rreth 47.000 nxënës.
Raportet e monitorimit nga Banka Botërore dhe UNESCO pesë vite më vonë, pikërisht në mars 2020 kur pandemia Covid-19 pllakosi vendin dhe bota u fut në izolim total, shkollat dhe nxënësit shqiptar nuk kishin asnjë mjet në dispozicion për të zhvilluar mësimdhënien në distancë. Asnjë kompjuter dhe asnjë laptop nuk ishte në punë. Mësimi në distancë u kthye në sfidë. Mësuesit përdoren mjetet e tyre personale, si telefona dhe e kompjuterëve dhe shumë nxënës e patën të pamundur të merrnin pjesë në mësim sidomos ato në zonat rurale të vendit.
Megjithëse qeveria shqiptare kishte harxhuar 2.5 milionë euro për digjitalizimin e shkollave, mungesa e infrastrukturës mbështetëse, shërbimeve të mirëmbajtjes, dhe mungesa e njohurive për përdorimin e teknologjisë nga mësuesit bëri që projekti i digjitalizimit të ishte një dështim i plotë. Mësuesit në shkolla pohuan se projekti i digjitalizimit ka munguar, pasi drejtoritë e shkollave nuk kanë fonde për të paguar internetin dhe gjithashtu nuk kanë fonde për të paguar shërbimet në rastet kur laboratorët e kompjuterëve nuk funksionojnë.
Në kushtet kur pandemia po ndikon negativisht sidomos në sistemin arsimor, Ministria e Arsimit kërkon fonde shtesë për blerjen e infrastrukturës teknologjike në shkolla. Pandemia pritet të ushtrojë presion edhe gjatë vitit në vijim dhe me gjasa viti i ri shkollor do të vijojë nën masa shtrënguese.
Kriza e COVID ndër të tjera ka goditur rëndë edhe sektorin e arsimit. Mësimi në distancë në mënyrë masive rrezikon të përkeqësojë aftësitë e të rinjve dh të çojë ato vite pas.
Banka Botërore në një analizë të posaçme për ndikimin e arsimit nga kriza e Covid -19 thotë se aftësitë e nxënësve shqiptare rrezikojnë të kthehen në nivelet e vitit 2012.
/Marrë nga Monitor/