Nuk do të jetë 13 shtatori data e paracaktuar për çeljen e dyerve të shkollave, por dy javë më vonë.
Ishte vetë ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ajo që bëri të ditur vendimin përmes një komunikimi në rrjete sociale, duke e argumentuar si një nevojë për të shtyrë mësimin plotësues, pas bisedimeve mësues e prindër.
“Duke vlerësuar dhe shqyrtuar me kujdes shqetësimet dhe sugjerimet e ardhura nga mësuesit dhe prindërit, vendosëm të zgjasim periudhën e mësimit plotësues deri në nisjen e vitit të ri shkollor, jo më 13 shtator, por më 27 shtator 2021”.
Ndërkohë që kanë mbetur më pak se dhjetë ditë kur nxënësit duhet të kthehen në shkolla për mësimin plotësues, ministrja nuk sqaroi protokollin e masave anti-COVID që duhet të zbatojnë nxënësit e as nuk foli për skenarët me të cilët ata do të mësojnë, pasi vendi duket se po shkon drejt një situate të vështirë pandemike.
Kujtojmë se dy vitet e kaluara nuk ishin aspak të zakonta.
Pas lëkundjeve sizmike që prishën disa ndërtesa, duke lënë jashtë dyerve të shkollave qindra nxënës, shkollat u përballën me riskun e infektimeve në masë përgjatë 2020- ës, duke u detyruar në shumicën dërrmuese të kohës ta zhvillojnë online.
MËSIMI PLOTËSUES
Nga dy javë të parashikuara për të mbushur boshllëqet që krijoi viti pandemik, nxënësit do të kenë në dispozicion katër javë. Por, jo detyrimisht.
“Gjatë periudhës së mësimit plotësues, që nis që më 1 shtator, nxënësit nuk janë të detyruar të shkojnë çdo ditë në shkollë, ndërsa mësuesit dhe të gjitha stafet shkollore do të jenë aty me kohë të plotë për të ofruar krahas mësimit plotësues, edhe veprimtari të ndryshme sportive, artistike dhe kulturore”, nënvizoi Kushi.
Një vendim i tillë është pritur me shqetësim në radhët e prindërve.
Me çfarë tekstesh do të mësojnë fëmijët e tyre?! Ata të vitit të kaluar, i dorëzuan në muajin qershor, të fshira me gomë, gati për t’u përdorur nga klasat pasardhëse. Për të tilla detaje, asnjë informacion, përveç faktit që muaji shtator, si rrallëherë do të jetë fakultativ për nxënësit.
STRUKTURA E VITIT SHKOLLOR
Duke qenë se është shtyrë dita e parashikuar për të nisur viti i ri shkollor, rrjedhimisht janë zgjatur edhe afatet e tjera. Të gjitha, i bëri me dije e para e Arsimit në daljen e djeshme.
“Këtë shtyrje ne e kemi reflektuar edhe në strukturën e vitit shkollor për të gjitha nivelet. Kësisoj, mbyllja shtyhet nga data 8 në 17 qershor.
Për arsimin e mesëm dhe të lartë, nga data 15 në 24 qershor.
Për maturantët shtyhet nga data 1 në 8 qershor.
Shkolla hapet që me 1 shtator, do të zhvillohet mësimi plotësues, por do kërkojmë nga shkollat të hartojnë një program të detajuar veprimtarish”, deklaroi ministrja, Evis Kushi.
/Priza.al/