Vjedhje miliona euroshe/ Përse SPAK hesht për Bajram Muçën dhe ‘Fondin Besa’      

Nisja e reformës në drejtësi, krijimi i SPAK-ut dhe BKH-së, por edhe dënimet e disa “peshqve të mëdhenj” kohët e fundit, kanë rikthyer pjesërisht besimin e qytetarëve te sistemi i drejtësisë.

Nga ana tjetër, volumi i dosjeve për t’u shqyrtuar, të mbledhura ndër vite është tepër i madh dhe i bërë kapicë në tryezat e prokurorëve, edhe pse një pjesë e madhe e dosjeve mbyllen për mungesë provash.

Por ajo që është më e çuditshme është fakti se përse Prokuroria dhe SPAK nuk merren as në ato raste me hetime kur ka ngjarje apo zhvillime, dhe kur ato janë me prova konkrete dhe me dëshmitarë.

Sigurisht ne sot po flasim sërish për çështjen e “Fondit Besa”, problemi i të cilit qëndron ende i hapur, në një kohë që shumë qytetarëve vijon t’u shkatërrohet jeta.

“Priza.al” ka sjellë me fakte dhe prova, me zë dhe figurë, në mbi 30 investigime se si një institucion mikrofinance si “Fondi Besa” ka hapur një gropë të madhe në ekonominë shqiptare, ku edhe pse nuk kanë munguar paditë e ngritura, përsëri Prokuroria e Tiranës dhe SPAK-u, nuk kanë nisur asnjë hetim qoftë edhe kryesisht për këtë çështje.

Në adresën e portalit tonë, por edhe në rrjetet sociale nuk na kanë munguar denoncime dhe dëshmitë e dhjetëra qytetarëve, që janë gati të tregojnë historitë e tyre me dokumente, se si janë ngatërruar në një skemë të pastër mashtrimi financiar.

Ne si media që e kemi nisur këtë betejë të vështirë për të treguar të vërtetën mbi këtë skemë, që pak kush ka marrë guximin ta denonconte më parë, duam që t’u qëndrojmë besnik deri në fund qindra lexuesve tanë që kanë dëshmuar për këtë skemë mashtrimi.

Grabitja e të dhënave personale

Fenomeni i grabitjes së të dhënave personale, tjetërsimi i tyre dhe përdorimi për veprimtari të paligjshme, ka kohë që ekziston në vendin tonë. Por ai kulmoi me fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit, kur në skenë fillimisht pre opozitës u denoncua një skemë e madhe përvetësimi të dhënash personale nga portali “e-Albania”.

Por në fakt “Priza.al” e ka denoncuar e para dhe disa muaj më herët këtë fenomen që për autor kishte oficerët e kredive, drejtuesit dhe sekserët e atashuar në “Fondin Besa”.

Ndërkohë ky proces vjedhjeje si viktima kishte disa mijëra qytetarë në të gjithë vendin, kryesisht të pa informuar, të pashkolluar dhe nga zona rurale, që ishin bërë pre e skemës së mashtrimit e cila i ka kthyer ata në borxhlinj dhe persona me precedent për “abuzime ndaj sektorit bankar”, ose i ka renditur në regjistrin elektronik si “kreditorë të këqij”.

Pikërisht strumbullari i gjithë kësaj skeme vjedhjeje dhe tjetërsimi është “Fondi Besa”, por edhe pse “Priza.al” e ka denoncuar me dokumente dhe dëshmi konkrete personash të prekur nga ky megamashtrim, përsëri Prokuroria dhe SPAK-u kanë heshtur dhe nuk kanë filluar asnjë hetim.

Blerja e drejtësisë

“Fondi Besa” i drejtuar nga Bajram Muçaj, i vetëquajtur “Mbreti i financave”, jo vetëm që ka fundosur me anë skemash të rafinuara mashtrimi jo pak klientë që janë ofruar fillimisht për të aplikuar për mikrokredi, por me paratë e përfituar nga aktiviteti financiar ndër vite, blen me lehtësi heshtjen dhe drejtësinë.

“Priza.al” në të paktën dy raste ka denoncuar me emra prokurorë të cilët janë blerë nga “Fondi Besa”, për të kthyer provat e denoncimeve dhe padive të klientëve në favor të institucionit që i kishte mashtruar.

Janë këta prokurorë që “Fondi Besa” nga të akuzuar e kanë kthyer në akuzues dhe klientët që kanë ngritur zërin dhe kanë denoncuar skemën e mashtrimit dhe vjedhjes, i kanë kthyer në viktima edhe të drejtësisë.

Janë madje prokurorë të tillë si Prokurori i Tiranës, Ylli Bashaj, që në emër të “Fondit Besa”, u bënin shantazh ish-klientëve të fondacionit që e kishin paditur në Prokurori institucionin e drejtuar nga Bajram Muçaj.

Megjithëse kanë kaluar disa muaj nga nisja e publikimit prej “Priza.al” të këtyre materialeve, që dëshmonin për një lloj skeme të re piramidale dhe pastrimi parash të ngritur ndër vite nga “Fondi Besa”, ende organet e drejtësisë po flenë mbi faktet dhe nuk kanë guximin që të nisin një hetim për ta zbardhur këtë çështje.

Mos vallë duhet të vijë një urdhër politik që denoncimet e publikuara në media dhe paditë e dhjetëra qytetarëve të merren seriozisht nga SPAK dhe Prokuroria? Apo duket që të përsëritet një skandal i madh si ai i piramidave të vitit 1997 në ekonominë e brishtë shqiptare, që të reagojnë edhe Banka e Shqipërisë apo edhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare?

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *