Hakerat kanë vjedhur rreth 600 milion dollarë kriptovalutë nga platforma e financave të decentralizuara, Poly Network, në atë që mendohet se është vjedhja më e madhe në historinë e industrisë, shkruan CNN.
Poly Network, shkroi në Twitter një mesazh për personat që vodhën shumën e madhe:
“Shuma e parave që keni hakuar është më e madhja në histori. Paratë që keni vjedhur janë të mijëra anëtarëve të komunitetit kripto… Ju duhet të na kontaktoni për të gjetur një zgjidhje.”
Pas ngjarjes, Poly Network krijoi disa adresa në të cilat tha se hakerat mund të rikthejnë paratë. Dhe duket se hakeri po bashkëpunon: Që nga ora 7:47 e mëngjesit të mërkurën, kompania tha se ata kishin kthyer rreth 4.7 milion dollarë, raporton abcnews.al
Deri në mesditë, ata kthyen rreth 261 milion dollarë, sipas firmës kriminalistike të blockchain Chainalysis. Sipas firmës, hakerat e kanë bërë diçka të tillë “për argëtim”, duke e cilësuar sulmin më shumë si një sfidë.
“Unë e dija rrezikun e ekspozimit të vetes. Kështu që kam përdorur email të përkohshëm, IP ose të ashtuquajtura gjurmë gishtash, të cilat nuk mund të gjurmohen. Unë preferoj të qëndroj në errësirë dhe të shpëtoj botën.”
Rregullatorët kanë rritur kontrollin e tyre mbi platformat kripto, ndërsa investitorët derdhin miliarda dollarë në monedhat digjitale. Senatorja e SHBA, Elizabeth Warren, kohët e fundit kërkoi të hetohet aftësia e institucioneve qeveritare për të mbikëqyrur tregun e platformave kripto.
Ekspertët vazhdojnë të jenë të mendimit se “tani për tani, investitorët që përdorin këto platforma nuk janë të mbrojtur”.
/Burimi: CNN/Përshtati: Priza.al/