Bisedimet për ripërtëritjen e marrëveshjes bërthamore me Iranin të vitit 2015, rifillojnë të hënën në Vjenë pas një ndërprerjeje pesë mujore dhe për herë të parë që kur një president i ri mori detyrën në Teheran.
Ashtu si në gjashtë raundet e mëhershme të negociatave, të cilat filluan në muajin prill, Shtetet e Bashkuara po marrin pjesë në mënyrë indirekte, ngjashëm me marrëveshjen e vitit 2015, e cila njihej si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit. Irani do të bisedojë drejtpërdrejt me nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes së vitit 2015 – Britaninë e Madhe, Kinën, Francën, Rusinë dhe Gjermaninë – me diplomatët evropianë që shkojnë e vijnë për t’u këshilluar me palën amerikane.
Në lojë është ripërtëritja e marrëveshjes për vendosjen e kufizimeve në programin bërthamor të Iranit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja në vitin 2018 gjatë administratës së ish presidentit Donald Trump, pas së cilës Irani filloi të tërhiqej nga angazhimet e tij.
Deri më sot, Irani ka tejkaluar kufijtë e dakorduar të sasisë së rezervave të uraniumit, ka pasuruar uranium në nivele më të larta dhe ka përdorur centrifuga më të avancuara në objektet e tij bërthamore.
Marrëveshja origjinale pasoi shqetësimet se Irani po punonte për të zhvilluar armë bërthamore, gjë qe Teherani e ka mohuar vazhdimisht duke thënë se programi i tij bërthamor është për qëllime paqësore.
/Burimi: VOA/