Sapo ka dalë dielli dhe ujërat e lumenjve janë tërhequr në shtretërit natyror, Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka dalë për inspektim në zonat e përmbytura të dy ditëve të fundit.
Ai është ndalur fillimisht në Ferras të Fierit këtë të hënë, pasi lumi Vjosa doli nga shtrati dhe shkaktoi përmbytje.
Niveli i lumit Vjosa ka rënë këtë mëngjes, por dhjetëra hektarë tokë bujqësore janë ende nën ujë.
Situata paraqitet më e qetë. Uji është larguar nga banesat, duke lënë pas baltë dhe llum. Gjatë natës, banorët kanë qëndruar te familjarët e tyre. Ata apelojnë për ndihmë, ndërkohë që thonë se, dëmet janë të shumta, uji u ka shkatërruar pajisjet elektroshtëpiake.
Mësohet se pas këtij inspektimi, Rama do të shkojë edhe në Vlorë për të mbikëqyrur situatën e krijuar pas përmbytjeve të djeshme, ku dhjetëra banesa u mbuluan nga uji që vinte si pasojë e daljes së lumit Vjosa nga shtrati.
/Priza.al/