Pas një beteje 8-vjeçare të aktivistëve mjedisorë, Vjosa e njohur si lumi i fundit i egër në Europë, u shpall park kombëtar nga qeveria shqiptare në mars të këtij viti.
Por pavarësisht statusit të ri të mbrojtjes, degët e Vjosës dhe vetë lumi mbeten viktima të vazhdueshme të ndotjes nga hidrokarburet që nxirren në fushat përreth saj.
Të denoncuara më herët nga BIRN në vitin 2018, rrjedhjet e naftës nga puset e dekantimit të kompanisë publike, Albpetrol, vijojnë edhe pas shpalljes së saj si park kombëtar.
Në mars të këtij viti, kjo reportere filmoi dhe fotografoi naftën bruto që derdhej në zonën e Gorishit dhe mbetje të ngrira me disa shtresa të serës në brigjet e përrenjve tributarë të Vjosës. Ndotja u konstatua në fund të marsit edhe nga Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura, që e ka marrë në dorëzim atë si park kombëtar.
“Sipas vrojtimeve në terren u vu re se një sasi e konsiderueshme e materialeve hidrokarbure, të cilat derdhen nga depozitat e puseve të naftës në përroin që derdhet në mënyrë të drejtëpërdrejtë në lumin Vjosë,” thuhet në një raport inspektimi të Administratës së Zonave të Mbrojtura, AdZM.
Agjencia Rajonale e Mjedisit Fier po ashtu i tha BIRN në përgjigje zyrtare se Albpetrol ishte gjobitur në tetor 2022 me 500 mijë lekë dhe ishte urdhëruar të ndalonte shkarkimet “e pakontrolluara të ujërave të ndotura me hidrokarbure”.
Por drejtues të kompanisë publike i mohuan përgjegjësitë.
I kontaktuar në telefon për rastin, drejtori i Albpetrol, Eltar Deda tha se “nuk kishte dijeni”. Ndërkohë, ish-administratori i Albpetrol shpk në degën e Gorishtit, Nertil Bello, i cili dha dorëheqjen për të kandiduar për bashkinë e Selenicës, pretendoi se kishte disa kohë që derdhjet ishin ndërprerë.
Lumi i Vjosës rrjedh nga malet e Pindit në Greqi dhe derdhet në detin Adriatik. Sipas shkencëtarëve, lugina e Vjosës përbën një habitat për shumë lloje kafshësh dhe bimësh që janë shumë të rralla ose janë zhdukur fare nga lumenjtë e tjerë të Evropës.
Në prill 2017, si pjesë e përpjekjeve për të siguruar mbrojtje për lumin, rreth 30 shkencëtarë nga katër vende europiane studiuan për një javë biodiversitetin e luginës së Vjosës, duke regjistruar 300 lloje gjallesash të ndryshme, përfshirë 41 lloje speciesh që janë gjetur për herë të parë në Shqipëri, si dhe një lloj të ri peshku dhe një insekt ujor të panjohur më parë për shkencën.
Pikërisht për shkak të kësaj pasurie dhe pas një fushate të gjatë ndërkombëtare me vendim të marsit 2023 Këshilli Kombëtar i Territorit e shpalli Vjosën “Park Kombëtar”.
Por mbrojtja në letra nuk është e mjaftueshme dhe derdhjet në vijim të naftës në përrejtë e lumit e cënojnë të gjithë habitatin.
“Derdhja e këtyre materialeve hidrokarbure në këtë zonë sjell një ndotje industriale, e cila ka një ndikim jashtëzakonisht negativ në faunën e lumit Vjosë dhe prek gjithë zinxhirin ushqimor, duke pasur parasysh edhe ndikimin e drejtëpërdrejtë në komunitetin e peshkatarëve që sigurojnë jetesën duke peshkuar në ujërat e lumit Vjosë,” thuhet në raportin e inspektorëve të AdZM-së, e cila vetë nuk mund të marrë masa administrative.
Në përgjigje për BIRN, AdZM thotë se nisi shkresat përcjellëse për Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Prefekturës, duke kërkuar marrje të masave administrative.
Edhe aktivistët e mjedisit thonë se pavarësisht se shpallja e Vjosës në park të mbrojtur u konsiderua fitore, moszbatimi në terren shkakton dëme të konsiderueshme.
“Shkarkimet janë me impakte të fuqishme se mbetjet hyjnë në grupin e lëndëve të rrezikshme, janë lëndë organike të qëndrueshme,” tha aktivisti i mjedisit, Niko Dumani.
Sipas aktivistëve, derdhja e naftës në lumë është shkelje ligjore dhe krim mjedisor pavarësisht statusit të lumit, por mbrojtja e veçantë që i është dhënë Vjosës dhe fakti që ndotja është e përsëritur e bën rastin edhe më flagrant.
“Jemi para një fakti identifikimi të një problemi të vjetër dhe të njohur prej kohësh. Shkarkimet e këtyre kompanive bëhen në mënyrë të paligjshme, të pakontrolluara dhe janë impakt negativ,” përfundoi Dumani./BIRN