Deputeti i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi ka dhënë një deklaratë për mediat pasi Gjykata Kushtetuese shtyu seancën e shqyrtimit të padisë kundër VKM-së së qeverisë për ndërtimet pa leje.
Bardhi tha se Gjykata merr vendime dhe është e presionuar nga kryeministri Edi Rama, pasi e njëjta trupë gjykuese ka nxjerrë standard të ri gjykimi për të zvarritur procesin.
“Oligarkët kanë kapur Gjykatën Kushtetuese” u shpreh Bardhi ndër të tjera.
Bardhi: “Shkaku që herën e parë u shty ishte absurd për të zvarritur procesin. Sot konstatuam që e njëjta trupë gjykuese ka vendosur një standard të ri gjykimi duke zvarritur dhe më tej procesin. Jemi përfaqësuar me të njëjtin autorizim, ka një shantazh të drejtpërdrejtë nga ana e kryeministrit, gjykata po bëhet vegël. Është anti-kushtuese, gjykata e shtyn me ditë të tjera me një vendim absurd. Sot gjeti një shkak tjetër për ta shtyrë, çështja duhet të ishte zhvilluar më herët. Është shtyrë qëllimisht, që ndërtuesit të rregullojnë lejet për katet pa leje. Përpara një jave kanë dhënë të njëjtën praktikë, është e njëjta trupë, nëse do ndryshonte do e kuptoja. Të hapin dosjet gjyqësore është e njëjta autorizim, në këtë çështje ka ndërruar standardin. Zonja Kokona nuk ka vendim nga Këshilli i Ministrave që ta ketë autorizuar për seancën, është traditë 32 vjeçare. Gjenden shkaqe për ta zvarritur çështjen, sa pronarët të rregullojnë letrat. Oligarkët kanë kapur Gjykatën Kushtetuese, shenjën e dhanë me bordin e naftës”