Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi nëpërmjet një statusi në rrjete sociale ka dhënë sqarime në lidhje me Udhëzimin Nr. 28, datë 3.08.2022, i cili parashikon një periudhë 3-mujore prove dhe vlerësimin psiko-social për mësuesit e rinj dhe të gjithë punonjësit e institucioneve arsimore parauniversitare.
Sqarimi i plotë i Ministres Kushi:
Duke marrë shkas nga rastet e konstatuara ndër vite të mësuesve që kanë ushtruar dhunë, abuzim apo vepra të tjera penale ndaj nxënësve, përgjatë këtij viti shkollor kemi ndërmarrë një sërë iniciativash ligjore dhe nënligjore për të shmangur rrezikun që mund t’i vijë nxënësve tanë nga persona që nuk garantojnë integritet të lartë moral, profesional dhe ligjor.
Në draftin e ri të ndryshimit të ligjit për sistemin arsimor parauniversitar, i cili është në konsultim publik dhe do të shqyrtohet së shpejti në Kuvendin e Shqipërisë, kemi parashikuar dispozita që ndalojnë përfshirjen në sistemin arsimor të personave të cilët janë dënuar për vepra penale që lidhen me të mitur, apo institucione arsimore parauniversitare, pavarësisht rehabilitimit të tyre.
Por rreziku nuk vjen vetëm nga personat që kanë një precedent penal, por edhe nga personat që punësohen për herë të parë në institucionet tona arsimore. Ne nuk mund të presim të ndodhin rastet dhe pastaj të reagojmë, por kemi detyrimin që të marrim të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar çdo rrezik apo rast të mundshëm.
Prandaj, me qëllim që të garantojmë më shumë mbrojtje dhe siguri për fëmijët tanë, kemi miratuar Udhëzimin Nr. 28, datë 3.08.2022, i cili parashikon një periudhë 3-mujore prove dhe vlerësimin psiko-social për mësuesit e rinj dhe të gjithë punonjësit e institucioneve arsimore parauniversitare.
Ky udhëzim është në përputhje të plotë me Kodin e Punës, i cili në Nenin 142, Pika 1 parashikon si kohë prove 3 muajt e parë të punës. Sipas pikës 2, kjo kohë mund të hiqet apo reduktohet me kontratën kolektive të punës, por kontrata kolektive në fuqi nuk ka asnjë përcaktim lidhur me kohën e periudhës së provës, duke ia lënë zbatimin drejtpërdrejt Kodit të Punës dhe akteve nënligjore në fuqi.
Periudha e provës është aplikuar nga strukturat tona arsimore në të gjitha periudhat. Madje në Udhëzimin e mëparshëm Nr. 38, datë 6.10.2015, Pika 4 e Kreut 4 parashikonte që kandidati emërohet me kontratë 1-vjecare (periudhë prove) dhe Pika 5 parashikonte që në përfundim të këtij afati parashikohet edhe vlerësimi psiko-social.
Siguria dhe mirëqenia e fëmijëve tanë është prioritet absolut për MAS, prandaj kërkojmë bashkëpunim nga të gjithë mësuesit, prindërit, por edhe institucionet e tjera qëndrore apo vendore që të respektojmë me përpikëri të gjitha aktet ligjore, nënligjore dhe rregulloret në shkolla. Gjithashtu, në vijim të masave të deritanishme, me fillimin e vitit të ri shkollor në zbatim të nismës “Stop Dhunës në Shkollë” fokusi ynë do të jetë nxitja e nxënësve, prindërve, mësuesve dhe gjithë komunitetit shkollor për të denoncuar çdo rast dhune apo abuzimi.
Ndërkohë, angazhohemi fort dhe do të punojmë çdo ditë për të vlerësuar dhe lartësuar me respekt dhe dinjitet figurën e mësuesit, siç e meritojnë ata vetë, por edhe fëmijët dhe e gjithë shoqëria jonë.