Vlerësohet lartë zëri ikonik i Milaim Krasniqit

Në ambientet e kinemasë ABC në Prishtinë, RTK-Radio do të organizojë mbledhje komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të gazetarit, komentatorit sportiv, redaktorit e punëtorit shumëvjeçar të Radio Kosovës, Milaim Krasniqi.

Familjarë, kolegë, miq nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia nderuan gazetarin e njohur Milaim Krasniqi.

I ndjeri ndërroi jetë të premten në Francë, ku kishte shkuar pak ditë më parë për trajtim mjekësor, pasi ishte diagnoztifikuar me kancer. Milaim Krasniqi u vlerësua si zëri ikonik i radios, derisa pas vetës la një arkiv të pasur me komentime të ndeshjeve sportive, por edhe me udhëheqjen e shumë emisioneve e spektakleve argëtuese.

Drejtori i përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Shkumbin Ahmetxhekaj, tha se ky është një nga momentet më të rënda si drejtor i ri i RTK-së pasi që sipas të parit të mediumit publik, nuk arriti ta njoh Milin më shumë dhe të mësojë më shumë nga përvoja në karrierën e tij të gazetarisë.

“Padyshim se ky është nga momentet më të rënda për mua si drejtor i ri i RTK-së pasi që nuk arrita ta njoh më shumë e të mësojë më shumë nga ai, nga ajo që ai ka fituar gjatë jetës së tij në karrierën e tij si gazetar. Markez një nga kryeveprat e tij thotë së ‘asgjë nuk përfaqëson njeriun më shumë sesa mënyra se si vdes’.

Milaimi iku shpejtë i buzëqeshur, plot entuziazëm, shpresë së do të triumfonte ndaj sëmundjes ashtu siç e njohim gjithmonë duke ruajtur imazhin e tij që ka ndërtuar gjatë këtyre pesë dekadave jetë. Në kontributin e tij në programet e sportit dhe argëtuese, ai bëri që Radio Kosova dhe transmetuesi publik në përgjithësi të përmbush në formën më të mirë misionin që ka ndaj publikut.

Ai e donte publikun, miqtë, familjen dhe gjithmonë dha më të mirën për të mos u harruar kurrë. Personalisht nuk njoh të dytë që ka qenë aq i suksesshëm i afërt dhe plot jetë. Zëri i tij kumbus do t’iu mungojë dëgjuesve të Radio Kosovës, e neve kolegeve të tij do të na mungojë përjetësisht prezenca e tij fizike dhe gjithë atë që ai përfaqësojë gjatë këtyre viteve”, tha Ahmetxhekaj.

Puna e madhe dhe profesionale që ka bërë për shumë vitë Milaim Krasniqi i njohur si ‘Mili’, është vlerësuar lartë nga kolegët e RTK-së, por edhe nga kolegët tjerë të kësaj zeje edhe përtej Kosovës.

Në emër të familjes Krasniqi, të pranishmit i përshëndeti vajza e Milit, Arnisa Krasniqi. Ajo mes lotëve falënderoi RTK për organizmin e kësaj mbledhje komemorative, derisa shtoi se është ‘krenare me veprën që ka lënë pas babai i saj”.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot në orën 14:00 në varrezat e fshatit Makoc.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *