Një 50-vjeçar është arrestuar në Vlorë, pasi u kap me 218 mijë euro dhe mallra kontrabandë.
Shtetasi me iniciale A.B., akuzohet për veprat penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe i sendeve me vlerë në kufi”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”.
Njoftimi i policisë:
Port Vlorë/ Kontrolle intensive nga shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Vlorës, në bashkëpunim me Seksionin e Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Vlorë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Excise”.
Sekuestrohen 218 885 euro të padeklaruara në kufi dhe një sasi vere, e dyshuar e kontrabanduar.
Vihet në pranga 50-vjeçari që nuk deklaroi shumën e parave në kufi dhe tentoi të fuste kontrabandë sasinë e verës, në vendin tonë.
Shërbimet e PKK Port Vlorë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Vlorë, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, një mjet kamion tip “DAF”, me drejtues shtetasin A. B.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që ky shtetas drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 218 885 euro të padeklaruara sipas përcaktimeve ligjore në fuqi dhe kuti me shishe vere, pa faturë blerjeje.
Në përfundim të veprimeve në kuadër të operacionit “Excise”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar të DVP Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin A. B., 50 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe i sendeve me vlerë në kufi”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.