Policia e Vlorës në bashkëpunim me policinë italiane, kanë bërë të mundur arrestimin e 3 personve në Vlorë, të cilët trafikonin lëndë narkotike.
Shtetasit Mandi Begaj 43 vjeç, Herman Muçaj 27 vjeç , Ëngjëllush Mukaj 34 vjeç, janë kapur në flagrancë tek “Gjiri i Dafinës”, Karaburun, ndërsa tentonin të trasportonin 577 kg lëndë narkotike kanabis drejt italisë, nëpërmjet një gomone.
Arrestimi i policisë ka zgjatur disa orë, pasi të dyshuarit kanë tentuar ti largohen efektivëve duke braktisur mjetin lundrues, por pa sukses.
Në aksionin e koduar “Karaburuni”, ku është përfshirë edhe Guardia di Finacia italiane, janë sekuestruar 577 kg lëndë narkotike kanabis, 200 kg e së cilës ishte në formë çokollate dhe mjeti lundrues gomone.
Ndërkaq çështja i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë e cila po vijon hetimet për zbardhjen e rrethanave.
Njoftimi i plotë i policisë:
Vlorë
Finalizohet operacioni antidrogë i koduar “Karaburuni”, për goditjen e një tentative për trafikim të lëndëve narkotike drejt Italisë.
Operacioni nga Shërbimet e DVP Vlorë, në bashkëpunim me Delta Forcë, Guardia di Finanza, Policinë Kufitare Vlorë dhe QNOD.
Vihen në pranga 3 shtetas. Sekuestrohen 577 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe një mjet lundrues gomone.
Shërbimet e Policisë, në vijim të kontrollit të territorit dhe koordinimit të veprimeve me QNOD, për kontrollin e hapësirës detare, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për trafikim të lëndëve narkotike, kanë organizuar punën për bllokimin e një mjeti lundrues që dyshohej se kishte lëndë narkotike në bord.
Ndjekja nga deti dhe toka zgjati disa orë. Në vendin e quajtur “Gjiri i Dafinës”, pranë Karaburunit, personat që ishin në bord, në pamundësi për t’i shpëtuar ndjekjes së Policisë, tentuan të braktisnin mjetin lundrues dhe të largoheshin, por u kapën dhe u prangosën gjatë ndjekjes nga Policia.
Shërbimet policore kanë sekuestruar mjetin lundrues gomone, në bordin e të cilës u gjetën dhe u sekuestruan 577 kg lëndë narkotike, një pjesë në formë çokollate.
Në përfundim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve u bë ndalimi i shtetasve M. B., 43 vjeç, H. M., 27 vjeç dhe Ë. M., 34 vjeç, banues në Vlorë, të dyshuarit si trafikues të lëndës narkotike.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të tentativës për trafikim të lëndës narkotike, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Në aksionin e koduar “Karaburuni”, ku është përfshirë edhe Guardia di Finacia italiane, janë sekuestruar 577 kg lëndë narkotike kanabis, 200 kg e së cilës ishte në formë çokollate dhe mjeti lundrues gomone.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.