Finalizohet operacioni policor i koduar “Border 9”, i zhvilluar nga DVKM Vlorë, në bashkëpunim me Forcën Speciale “Delta” dhe Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Vlorë.
Transportonin me 2 automjete, kundrejt pagesës, 9 emigrantë nga vendet e treta, vihen në pranga 2 shtetas. Konkretisht pas hekurave ranë Gledi Abazi dhe Eraldo Pushaj.
Njoftimi i Policisë:
Sekuestrohen 2 automjetet me të cilat transportoheshin emigrantët.
Shërbimet e Policisë Kufitare Vlorë, në bashkëpunim me Forcën Speciale “Delta” dhe Seksionin për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Vlorë, në vijim të operacioneve për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt pagesave, për të kaluar ilegalisht kufirin, bazuar dhe në infomacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Border 9”, për goditjen e një tjetër rasti të kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Si rezultat i këtij operacioni, në aksin rrugor Vlorë-Qeparo, u kapën dhe u ndaluan shtetasit G. A., 34 vjeç dhe E. P., 34 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, po transportonin kundrejt pagesave, 9 emigrantë nga vendet e treta të cilët kishin si qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të kundërligjshme.
2 automjetet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.