Tre persona kanë rënë në prangat e policisë në Vlorë, pasi janë kapur teksa punonin në një objekt 4-katësh në zonën e “Ujit të Ftohtë”, në të cilin ishin pezulluar punimet.
Uniformat blu raportojnë se të arrestuarit janë: administratori i firmës, Ledio Fishekut dhe dy punonjësit, Përparim Mehmetaj dhe Brahim Tozaj.
Në kërkim është shpallur Artur Haxhi, pronari i firmës së ndërtimit që po punonte në objektin 4-katësh.
Njoftimi i policisë:
Vlorë/Ndërtimet e paligjshme, Policia vijon kontrollet në territorin e qarkut.
U kapën në flagrancë duke kryer punime në një objekt në të cilin ishin pezulluar punimet, vihen në pranga 3 shtetas (administratori dhe 2 punonjës të firmës së ndërtimit).
Shpallet në kërkim pronari i firmës së ndërtimit që po kryente punimet në objektin 4-katësh.
Në zbatim të planit të veprimit të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për marrjen e masave me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, gjatë kontrollit të territorit, në lagjen “Uji i ftohtë”, kanë evidentuar një rast të punimeve të ndërtimit, në një objekt në të cilin organet kompetente kishin pezulluar punimet.
Në vijim të veprimeve për këtë rast u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
F., 41 vjeç, administrator i firmës së ndërtimit që po kryente punimet;
M., 46 vjeç dhe B. T., 19 vjeç, të dy punëtorë të kësaj firme ndërtimi.
Gjatë kontrollit të territorit nga Policia, këta shtetas janë konstatuar duke kryer punime ndërtimi në një objekt 4-katësh, në lagjen “Uji i Ftohtë”, në kundërshtim me vendimin e autoriteteve kompentente, të cilat kishin pezulluar punimet në këtë objekt.
Pronari i firmës së ndërtimit që po kryente punimet në objektin 4-katësh, shtetasi A. H., 38 vjeç, banues në Vlorë, u shpall në kërkim për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”. Vijon puna për kapjen e tij.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme.