Një aksident i rëndë automobilistik u regjistrua pasditen e kësaj të hëne në Vlorë. Dy automjete të tipit Volkswagen Touareg u përplasën me njëra tjetrën në rrugën “Transballkanike”.
Burimet raportuan se drejtuesi i një prej mjeteve është dërguar në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë.
Gjithashtu mësohet se drejtuesi i ‘Touareg-ut’, pak momente përpara se të shkaktonte aksidentin në rrugën transballkanike ka aksidentuar një grua, e cila ndodhet në spital.
Mësohet se është munduar të largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes ndaj ka shkaktuar aksidentin e dytë.
Njoftim i Policisë:
Vlorë/Informacion paraprak
Rreth orës 17:40, shtetasi A. L., rreth 45 vjeç, duke drejtuar automjetin tip “Volkswagen”, në rrugën “Gjergj Kastrioti”, ka aksidentuar shtetasen I. S., rreth 66 vjeçe, këmbësore në rrugë.
Drejtuesi i automjetit është larguar nga vendi i aksidentit dhe ka vijuar lëvizjen, në këtë aks rrugor, ku pas disa metrash është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin B. C., 63 vjeç.
Shtetasja I. S dhe shtetasi B. C, janë transportuar në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Drejtuesi i automjetit, shtetasi A. L. u shoqërua në Komisariat, për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor po kryen veprimet e mëtejshme për këtë rast.