Në vitin 2018, Kryeministri Edi Rama, vendosi ligjin për mbylljen e lojërave të fatit në Shqipëri, të cilat u vendosën vetëm në periferi te kryeqytetit dhe në resorte me 5 yje. Por me sa duket ky ligj nuk ka arritur të bind disa qytetarë, të cilët janë arrestuar nga Policia e Vlorës, pasi zhvillonin këtë aktivitet të paligjshëm.
Gjatë kontrolleve efektivët kanë goditur 2 raste ku është evidentuar veprimtaria e kundërligjshme e lojërave të fatit. Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar 20 pajisje elektronike, dhe janë proceduar penalisht në gjendje të lirë dy pronarët e lokaleve. Ata janë identifikuar me inicialet E. Sh., 23 vjeç dhe A. A., 30 vjeç, të dy banues në Vlorë. Pronarët akuzohen për veprat penale “Organizim i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.
Gjatë kontrolleve u gjetën dhe u sekuestruan 10 pajisje elektronike në gjendje pune në lokalin e shtetasit E. SH, në lagjen “24 Maji” dhe 10 pajisje elektronike në gjendje pune në lokalin e shtetasit A. A, në lagjen “1 Maji”, ku dyshohej se ushtrohej aktivitet i kundërligjshëm i lojërave të fatit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.