Një 28-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Vlorës pasi akuzohet për shpërndarje të lëndëve narkotike kanabis dhe kokainë.
Sipas policisë mësohet se i riu shpërndante lëndë narkotike kryesisht në lokalet e natës.
Njoftimi i policisë:
Shpërndante doza kokaine dhe kanabisi, kryesisht në lokalet e natës, arrestohet në flagrancë 28-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Fokus 6”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi R. S., 28 vjeç, banues në Vlorë.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën këtij shtetasi, doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë dhe kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 1 aparat celular.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas i shpërndante dozat e kokainës dhe të kanabisit, në qytetin e Vlorës, kryesisht në lokalet e natës.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.