Pas tragjedisë në familjen Koreta në Vlorë, ku nipi 39- vjeçar vrau me armë zjarri xhaxhanë e tij dhe më pas edhe veten, të tjera detaje dalin në dritë.
Viktima Jorgji Koreta, 64 vjeç, vite më parë kishte përjetuar tragjedi familjare, pasi kishte humbur të birin në një aksident në Greqi. Rreth 10 vjet më parë në aksidentin fatal ishte i pranishëm edhe Genci Koreta, i cili që prej atëherë kishte pësuar trauma psikologjike pasi kishte qenë dëshmitar okular i ngjarjes së rëndë.
Djali i Jorgji Koretës, Sokoli, kishte rënë nga skela duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Genci Koreta jetonte dhe punonte në atë kohë në shtetin grek dhe pas vdekjes së kushëririt, vendosi të kthehej në vendlindje duke u kuruar për shkak të problemeve psikologjike që kishte pësuar nga ngjarja.
Dhjetë vjet më vonë, ai i mori jetën xhaxhait të tij dhe më pas edhe vetes, për arsye të paqarta plotësisht. Jorgji Koreta dhe gruaja e tij dyshohet se akuzonin 39-vjeçarin për vdekjen e djalit të tyre të vetëm. Policia e Vlorës është rikthyer sërish dje në vendin ku ndodhi krimi i rëndë për të mbledhur provat materiale.
DËSHMITË
Të afërmit e viktimave dhe banorët e fshatit shprehen të habitur për ngjarjen e rëndë në familjen Koreta. Ata thonë se Jorgji Koreta kishte humbur djalin e vetëm në Greqi pas një aksidenti në punë, por se kishte marrëdhënie të mira me vëllezërit e tij.
Sipas dëshmive të fqinjëve, nuk kishin dijeni për probleme midis autorit dhe viktimës, duke theksuar se lajmin e kishin marrë vesh nga televizori.
“Tanët i kemi. Na erdhi habi. Në televizor e morëm vesh. Nuk kanë pasur problem fare. Djali ka qenë shumë i qetë. Burri im e ka gocë të hallës nënën e tij. Nuk dimë gjë që të kenë pasur probleme. Ne jemi të pleksur”, deklaroi një grua që jeton në të njëjtin fshat.
Një tjetër fqinj i familjes Koreta thotë se vrasja dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 15:00 të së hënës dhe ngjarja është marrë vesh tri orë më vonë.
“Unë pyeta të atin. Ai më tha në orën 3 janë vrarë. Kur vajtëm ne në orën 6 gjetëm një të shtrirë andej, një të shtrirë këtej tha. Ku e dimë ne kush ka qëlluar, vetëm nipi tha i ati kishte armën në dorë. Xhaxhai i tij dhe kryeplaku ishin të parët, ata lajmëruan. Unë i kam miq dhe konflikt apo ndonjë ngatërresë kurrën e kurrës. Ai ishte djalë që i thoshe plaç, ai nuk thoshte ngordhsh, ai thoshte faleminderit. Djalë i urtë, djalë i qetë. Por edhe ai, Jorgji, vdiq i biri që e vranë në Greqi, erdhi e mori, e varrosi, edhe ai iku me plagë, me zemër të djegur. Këtu në fshat s’kemi pasur kurrë ndonjë ngjarje të tillë”, tha i afërmi i familjes Koreta.
Një tjetër banor shprehet se nuk kishin dëgjuar as krismat e armës të llojit çifte me të cilën dyshohet të jetë kryer krimi.
“E dëgjuam nga televizori. Nuk dëgjuam krisma në fshat. Jemi fshatarë dhe i njohim mirë. Djali ka qenë i përsosur. U fliste të gjithëve”, tha një tjetër banor. I pyetur se pse mund të ketë ndodhur ngjarja, ai deklaron: “Ata që ikën, e morën me vete të vërtetën”.
/Priza.al/