VOA: Në Shqipëri bien lindjet, faktor edhe emigracioni

Sipas të dhënave nga specialistë të shëndetësisë, numri i lindjeve po vazhdon të bjerë, duke ndikuar edhe tek rritja e popullsisë së vendit. Specialistët e shëndetit publik thonë se faktorët janë kompleksë por emigracioni i lartë i popullsisë në moshë riprodhuese është kryesori.

Qarku i Gjirokastës është me nivelet më të ulta të lindjeve, ndërsa specialistët e shëndetësisë thonë se po shihen qartë pasojat e migrimit, i cili vazhdon në ritme të larta.

Në Drejtorinë e Shëndetit Publik në Gjirokastër specialisti Bledi Ahmeti, pak vite më parë u mor me një studim për strukturën e popullsië në Shqipëri dhe në nivel qarku.

Grafikët bazuar në të dhënat zyrtare tregojnë se, ndërsa në vitin 1990 kur Shqipëria u nda nga komunizmi, mosha mesatare e popullsisë ishte 26 vjeç, në vitin 2014 ishte 35 vjeç.

Të dhënat më të fundit të Agjensisë Europiane të statistikave Eurostat tregojnë se në fund të vitit 2021 mosha mesatare e popullsisë shkoi në 38,2 vjeç ndonëse Shqipëria ende bën pjesë në grupin e vendeve me popullsi të re në moshë, pasi mesatarja e vendeve europiane është 44 vjeç.

Rënia e lindjeve po ndikon negativisht në rritjen natyrore dhe në strukturën e popullsisë thotë zoti Ahmeti.

“Kjo rënie e lindshmërisë ndikon nga pikëpamja demografike në atë që quhet ‘shtesa natyrore e popullsisë’. Në disa rajone kjo ka marrë sot trajtën edhe të ‘shtesës natyrore negative’ ku numri i vdekjeve është më i lartë se numri i lindjeve”.

Duhet patjetër një qasje e re ndaj këtyre dukurive që po bëhen më të mprehta si në nivel kombëtar por sidomos në nivel qarku, thotë zoti Ahmeti.

“Shumë vende sidomos në rajon dhe Shqipëria u gjenden përpara së papriturës me lëvizjet demografike të popullatës dhe rrjedhimisht duhet të ketë një lloj strategjie, një lloj përqasjeje tjetër në menaxhimin e shërbimeve sociale së pari por edhe në lidhje me menaxhimin e shërbimeve shëndetësore të cilat sot në pjesën më të madhe janë të përqendruara tek moshat e treta.”

Specialisti i shëndetit publik thonë se pasojat e ndryshimit të strukturës së popullsisë sidomos me mplakjen e saj reflektohen dhe në sistemin shëndetësor dhe atë të mbrojtjes sociale.

“Ky tranzicion social prodhon jo vetëm tranzicion demografik por edhe tranzicion epidemiologjik dhe shëndetësor. Në Shqipëri ka ndodhur i ashtuquajturi tranzicioni drejt sëmundjeve jo të transmetueshme ,ose sëmundjeve kronike. Ato janë karakteristikë për moshën e tretë. Duke u rritur numri i personave të moshës së tretë hasen më shumë sëmundjet kardiovaskulare, hipertensioni, crregullimi i nivelit të indyrnave, diabeti, sëmundjet kancerogjene, sëmundjet e frymëmarrjes të cilat janë problematikë e madhe dhe përbëjnë peshën më të madhe specifike në sistemin e shëndetit publik në Shqipëri”.

Qarku i Gjirokastrës kishte numrin më të ulët të lindjeve në Shqipëri në vitin 2021 me vetëm 451 lindje.

Edhe këtë vit numri i lindjeve ka vazhduar të bjerë, thotë mjekja gjinekologe Migena Kuro në maternitetin Gjirokastrës.

“Treguesit e lindshmërisë janë gjithnjë e në rënie. Sidomos vitin e fundit vihet re një rënie e ndjeshme e lindjeve, jo vetëm për qytetin e Gjirokastrës, zonat rurale , por edhe në rrethet e Qarkut të Gjirokastrës Tepelenë dhe Përmet nga nënat vijnë për të lindur në maternitetin e Gjirokastrës”.

Zonja Kuro thotë se ulja e lindjeve lidhet kryesisht me prirjen e largimit të familjeve në emigracion. Zonja Kuro thotë se ka edhe faktorë shoqërorë dhe prirje të reja.

“Kjo rënie kuptohet lidhet me largimin e moshës aktive për lindje drejt emigracionit. Është një prirje e familjeve të reja që të kenë vetëm një fëmijë të largohen më lehtë drej vendeve të tjera. Ne ndeshemi përditë me këtë. Më parë familjet kishin prirjen për dy, tre e më shumë fëmijë”.

Zonja Kuro thotë se pasojat e rënies së numrit të lindjeve janë, jo vetëm për momentin, por do të jenë afatgjata.

“Ato reflektohen në gjithë nivelet e shoqerisë, që në nivelin e kopshteve dhe shkollave. Nga numri i ulët i fëmijëve do të mbyllen klasat, do jenë klasat me më pak nxënës. Pasojat do të jenë jo vetëm për momentin, por në mënyrë afatgjatë”.

Sipas të dhënave të Insitutit të Statistikave gjatë vitit 2021 në Shqipëri lindën rreth 27.300 foshnja me një rënie me 2,8 %, krahasuar me vitin paraardhës .
Sipas të dhënave zyrtare po në vitin 2021 ishin rreth 3.200 vdekje më shumë se sa lindje, e lidhur kjo edhe nga numri i lartë të humbjeve të jetës nga situate e pandemisë së koronaviusit.

Ndërkohë numri i lindjeve për tremujorin e dytë të vitit 2022 është 5.384, duke shënuar një rënie me 14,8 %, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2021.
Sipas Instat, në tremujorin e dytë 2022, të gjitha qarqet e vendit shënuan ulje të numrit të lindjeve.

Tirana mbetet qarku me numrin më të madh të lindjeve për këtë tremujor me 1.940 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 85 lindje.
Ndërkohë shtesa natyrore e popullsisë pasqyroi sipas Institutit shqiptar të Statistikave një prirje positive në tremujorin e dytë të këtij viti me 468 lindje më shumë se sa vdekje./VOA

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *