Në Shqipëri pjesmarrja në zgjedhjet për kryetarët e rinj të 61 bashkive të vendit dhe anëtarët e këshillave bashkiakë rezulton të jetë e ulët. Të dhënat paraprake të Komisionit Qendror të Zgjëdhjeve, deri në orën 15:00 tregojnë se vetëm 29.5 përqind e zgjedhësve ka shkuar të votojë.
Një shifër e ulët krahasuar me vitin 2021 kur në të njejtën orë pjesmarrja rezultonte të ishte 38.6 përqind. Gjatë ditë, thuajse të gjithë drejtuesit e lartë shtetëror e politik të vendit bënë thirrje për një pjesmarrje sa më masive në votim.
Zgjedhjet në Shqipëri, nisin normalisht, me një minus të lartë në numrit të votuesve, duke qenë se në lista janë përfshirë dhe emigrantët, të cilët duke mbajtur përllogaritur përqindjen e tyre ndaj popullsisë, përbëjnë më shumë se 30 përqind të zgjedhësve.
Procesi i sotëm, u hap me probleme të shumta me funksionimin e pajisjeve të instaluara për identifikimin elektronik të votuesve, në pjesë të ndryshme të vendit. Komisioneri shtetëror i zgjedhjeve Ilirjan Celibashi dhe nënkomisionerja Lealba Pelinku, pasi kishin kaluar më shumë se 2 orë e gjysëm, nga nisja e procesit, u detyruan të urdhëronin që aty ku pajisja nuk funksionon “identifikimi të vijojë me mënyrën tradicionale”.
Bëhet fjalë për mbi 500 nga 5.213 qendra votimi në të cilat identifikimi elektronik dështoi. Megjithatë, sipas deklarimeve të zotit Celibashi pasdite, “në tërësi procesi po shkon normalisht”
Teknologjia, këtë herë edhe për votimin dhe numërimin elektroni, po zbatohet në tre bashki, Elbasan, Kamëz dhe Vorë. Rezultatet paraprake pritet të publikohen menjëherë pas mbylljes së procesit. Numërimi në pjesën tjetër të vendit do të realizohet manualisht, në 92 qendra të numërimit të ngritura posaçërisht.
Në garë janë 144 kandidatë nga 40 parti dhe koalicione, përfshirë dy kandidatë të pavarur. Ndërsa për 1603 pozicionet e anëtarit të Këshillave bashkiakë, konkurrojnë rreth 23 mijë e 700 kandidatë, përfshirë 10 të pavarur.
Zgjedhjet për pushtetin vendor po ndiqen nga misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të ODIHR-it, I kryesuar nga ambasadorja Audry Glover. Një grup prej 24 vëzhguesish afatgjatë kanë ndjekur procesin parazgjedhor që prej 13 prillit. Misioni kishte kërkuar një prani prej 300 vëzhguesish afatshkrutër nga vendet anëtare të OSBE-së, por vetëm afro 165 kanë mbërritur në Shqipëri. Duke përfshirë dhe grupet nga parlamenti europian, asambleja e Këshillit të Europës, apo dhe ambasadat e huaja në vend, llogaritet që numri i vëzhguesve të huaj të jetë prej afro 230 personash.
Procesi u parapri nga një incident në mesnatë, ku është dhunuar kandidati socialist dhe drejtuesi aktual i Bashkisë së Kolonjës Erion Isai, nga persona që dyshohet të jenë mbështetës së opozitës. Zoti Isai deklaroi se njëri prej dhunuesve është dhe anëtar i Komisionit Zonal. Policia ka arrestuar njërin prej agresorëve.
Nën hetim ka përfunduar gjatë ditës dhe kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë fitojmë” për Bashkinë e Kuçvës, Lefter Maliqi, i cili dyshohet se ka kërcënuar dhe fyer 4 persona në një lokal./VOA