Një studim i Institutit për Studime Publike dhe Ligjore, ve në dukje se një numër i lartë çështjesh në Gjykatën e Lartë është një sfidë madhore, por vështirësitë kryesore po i ndeshin gjykatat e apelit.
Instituti për Studime Publike dhe Ligjore (ISPL) publikoi sot një vëzhgim mbi punën e institucioneve të drejtësisë, ku bie në sy një rritje e ngarkesës në punë tek gjyqtarët, për shkak të stokut të çështjeve ndër vite si dhe për shkak të procesit të vetingut.
Nga ky proces kanë dalë jashtë sistemit më shumë se gjysma e punonjësve të drejtësisë, që janë marrë në shqyrtim.
Nga monitorimi doli se Gjykata e Lartë ka qenë më shumë efektive pas plotësimit të trupës së saj me gjyqtarë, duke trajtuar më shpejt stokun shumëvjeçar të çështjeve gjyqësore.
Menaxheri i projektit, Ardian Dhima, thotë se pengesa kryesore në trajtimin e stokut të çështjeve në gjykata është pamjaftueshmëria e burimeve njerëzore me magjistratë përballë mungesave të shumta në sistem.
“Për shkak të vakancave të shumta, është krijuar një problem shumë i madh me çështjet e prapambetura. Pothuaj të gjithë institucionet e drejtësisë po përleshen me këtë me këtë problem. Gjërat duan kohën e tyre, sado që të bëhet presion. Nevojitet njëfarë kohe, që masat të zbatohen, por rëndësi ka që hapat të hidhen në cilësinë dhe drejtimin e parashikuar nga strategjia e reformës”, thotë zoti Dhima.
Në reduktimin e stokut ka ndikuar ulja e ritmit të punës dhe vendimeve nëpër gjykatat e apelit, si dhe pakësimi i rekurseve drejt Gjykatës së Lartë, thuhet në monitorimin e Institutit.
Megjithatë stoku i çështjeve në gjykatën e lartë, pohojnë ekspertët, vazhdon të mbetet i madh, mbi 29 mijë çështje, dhe cilësohet si sfida kryesore për këtë gjykatë.
Gjykatat e shkallës së parë dhe apelit, penale dhe civile, po përpiqen të ulin kohëzgjatjen e gjykimeve, por më shumë vështirësi në këto përpjekje po hasin gjykatat e apelit.
“Kuvendi ka rritur buxhetet mbi institucionet e drejtësisë. Edhe pse ky vit është vit krize, megjithatë ky është viti që është buxhetuar drejtësia më shumë se çdo herë, kryesisht në drejtim të eficencës dhe transparencës”, thotë deputetja Klotilda Bushka, kryetare e komisionit parlamentar të ligjeve.
Ngarkesa e gjyqtarëve me çështje në Gjykatën e Lartë dhe gjykatat e tjera mbetet e madhe, sipas studimit, ndërsa prokuroria nga ana tjetër, nuk shfaq një nivel të kënaqshëm të hetimit proaktiv, me gjithë masat e marra për ta shtuar punën në këtë drejtim.
Ndërkohë një sfidë e re më vete është zbatimi i hartës së re gjyqësore, e cila u mendua si një lehtësi më shumë, por që ka vënë në vështirësi aktualisht gjykatat e apelit.
“Është krijuar edhe harta e re gjyqësore. Tani, pikëpyetja e madhe është se si do të menaxhohet ky proces i vënies në funksion të hartës së re gjyqësore, e cila u mendua si një ndër zgjidhjet së pari të problemit të stoqeve, evadimit të çështjeve gjyqësore. Këtu ka disa institucione që poe cin me hap pak më të shpejtë, për shkak të natyrës së tyre”, thotë zoti Dhima.
Ndërsa kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, thotë se sistemi i drejtësisë ende nuk është në situatë normale, përderisa ka humbur gjysmën e burimeve njerëzore, por rezultatet po vijnë hap pas hapi nga një menaxhim më i mirë i situatës së krijuar, që sjell vetingu dhe nga harta e re gjyqësore.
“Ne jemi të bindur që me hartën e re gjyqësore do të bëjmë një shpërndrje të drejtë të ngarkesës me burimet njerëzore. Duke filluar nga kjo shpërndarje më e drejtë, atëherë ne do të kostojmë më qartë se cilat janë shpenzimet se kush na kushton më shumë dhe ku do të investohet më shumë”, thotë zonja Llagami.
Në të gjithë sistemin e reformuar të drejtësisë vihet re mungesa e burimeve njerëzore për shkak të shkurtimeve që ka sjellë procesi i vetingut, hapjes së shumë posteve në institucionet e reja, si mosplotësimi i kritereve nga gjyqtarët e rinj, që janë në fillim të karrierës.