VOA: Shkupi në shënjestër të kërcënimeve kibernetike

Një sërë kërcënimesh për vendosje të mjeteve shpërthyese u shpërndanë përmes postës elektronike të premten në dhjetë shkolla të Shkupit dhe në pesë në qytetin e Manastirit; në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, në dy hotele të njohura,”Alexander Pallace” dhe “Marriot”, në qendrën tregtare “East Gate” si dhe një sallë sporti.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski kishte planifikuar mbajtjen e një fjalimi në hotelin “Alexaner Pallace” mëngjesin e së premtes, së bashku me ministrat e Ekonomisë dhe Financave, por ngjarja u anulua për shkak të alarmit kërcënues.

Alarmet rezultuan të rreme, sipas autoriteteve.

Pas marrjes së njoftimit për vendosjen e mjeteve shpërthyese, policia tha se kishte marrë masat për evakuuimin e sigurt të njerëzve nga objektet, ndërsa kontrollet anti-terror kanë zgjatur për disa orë. Policia thotë se “po merr masa për ndriçimin e rasteve”.

Kjo nuk është hera e parë që shkollat në veçanti dhe institucione të tjera publike kërcënohen me bomba përmes e-maileve. Kjo po bllokon punën e institucioneve publike, ndërsa po shton shqetësimin e qytetarëve.

Ndërkohë, aeroporti i Shkupit u rihap përsëri pas kontrolleve dhe konstatimit se nuk ekziston rrezik për pasagjerët dhe punonjësit.

Vetëm një ditë më parë pati alarme të rreme në rreth pesëdhjetë shkolla të Shkupit dhe të Kumanovës. Mes prindërve të nxënësve vihet re shqetësimi për shkak të humbjes së mësimit dhe pasojave të tjera eventuale dhe për shkak të pamundësisë së organeve policore që të zbulojnë autorët.

Opozita maqedonase e ka kritikuar Ministrin e Rendit, Oliver Spasovki duke kërkuar dorëheqjen e tij të menjëhershme dhe duke e akuzuar atë për paaftësi.

Ndërkohë, autoritetet policore nuk japin shumë hollësi lidhur me këto zhvillime, përveç njoftimeve se kërcënimet vijnë nga shtete të ndryshme prej adresave fiktive të e-maileve përmes rrjeteve private,VPN që e bëjnë të pamundur zbulimin e origjinës së postës elektronike.

Kryeministri Kovaçevski e ka quajtur luftë hibride, ndërsa qeveria e tij ka njoftuar NATO-n për këto kërcënime./VOA/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *