VOA: Të mbijetuarat e dhunës në familje përballen me problemet e riintegrimit në Kosovë

Në Kosovë gratë e mbijetuara të dhunës në familje kanë të drejtë qëndrimi në strehimore për gjashtë muaj. Veprimtarët e kësaj fushe thonë se kjo është kohë e pamjaftueshme për të siguruar pavarësimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri, që konsiderohet ndër sfidat më të mëdha. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Edlira Bllaca foli me një nga të mbijetuarat.

Drita, emri i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë, por është ndryshuar për shkaqe sigurie, ishte martuar sapo kishte mbushur 18 vjeç. Ajo thotë se në vitin e parë të martesës gjithçka shkonte mirë, por pas lindjes së vajzës, burri i saj kishte filluar të ushtronte dhunë fillimisht psikologjike e më pas edhe fizike ndaj saj.

“Fillimisht ka nisur të më godasë me shuplakë, pastaj me rrip, siç i vinte në mendje të më rrihte ashtu më rrihte. Më ka larguar prej shtëpisë, pastaj unë kam shkuar në një kafene dhe e kam lutur kamerierin që ta lajmëroj policinë dhe ata erdhën më morën”, rrëfen ajo.

Drita ka përfunduar vetëm shkollën fillore, nuk ka profesion e as punë. Në mungesë të mundësive të tjera, ajo ka duruar dhunën e burrit për tri vitet e fundit. Brenda këtyre viteve ajo është kthyer tri herë në një shtëpi të sigurtë për gratë që përjetojnë dhunë në familje. Në shtëpinë ku ndodhet tash, Drita po përpiqet të mësojë punë dore, për të siguruar një zanat nëpërmjet të cilit shpreson që të pavarësohet financiarisht në të ardhmen dhe të mos jetë e detyruar të kthehet sërish te burri apo në strehimore.

“Uroj që ëndrra ime të bëhet realitet, që me këto punë dore të cilat i kam mësuar këtu dhe që i kam ditur disa në shtëpi, ta hapi një dyqan e të filloj punën”, thotë ajo.

Në Kosovë janë dhjetë shtëpi të sigurta të cilat strehojnë gratë e mbijetuara të dhunës në familje dhe fëmijët e tyre. Por qëndrimi i lejuar në këto shtëpi është vetëm 6 muaj, ndërsa veprimtarët e kësaj fushe thonë se kjo është kohë e pamjaftueshme për të siguruar pavarësimin dhe riintegrimin e grave në shoqëri. Zana Asllani, drejtuese e shtëpisë së sigurt në Prishtinë, thotë se për këtë arsye shpesh gratë rikthehen në shtëpinë ku kanë përjetuar dhunë.

“Ndodh edhe më shumë se pesë herë. Konkretisht tani kemi një grua që ka ardhur për herën e tretë brenda tre muajve”, thotë ajo.

Zonja Asllani thotë se tash me mbështetjen e zyrës së presidentes së Kosovës, po përpiqen të aftësojnë shumë gra për punë dore e rrobaqepësi, dhe me përfitimet nga shitjet të cilat janë të hapura për të gjithë, t’u ndihmojnë grave që përjetojnë dhunë. Por, sipas saj, është e domosdoshme të krijohet një program i posaçëm në vend i cili garanton punësimin dhe riintegrimin e grave.

“Kjo pjesa e riintegrimit të grave në shoqëri është sfida kryesore, kuptohet në gjithë shtetin, e lëre më te ne në strehimore ku përballemi me mungesë të financave. Pjesa e riintegrimit duhet të ketë një program të posaçëm. Ne si strehimore kemi kurse këtu brenda me të cilat mundohemi të rrisim mundësitë e grave që kanë përjetuar dhunë”, thotë ajo.

Në përpjekje për të rritur numrin e punësimeve për gratë, viktima të dhunës dhe atyre të margjinalizuara në përgjithësi, Fondacioni Jahjaga po vazhdon punën në projektin “One in Three”, apo “Një në Tri”.
Brikena Avdyli, drejtoreshë ekzekutive në këtë fondacion, i tha Zërit të Amerikës se emërtimi u referohet statistikave botërore sipas të cilave një në tri gra përjeton dhunë.

“Ne kemi dashur të integrojmë këtë element në emër të ngritjes së ndërgjegjësimit për këtë çështje. Pra përtej fuqizimit ekonomik të ngrisim edhe shkallën e ndërgjegjësimit, mirëpo ky projekt ju shërben të gjitha grave të margjinalizuara, jo vetëm grave të mbijetuara të dhunës, të gjitha ato që kanë nevojë për një shtytje në mënyrë që të jenë të pavarura ekonomikisht, të mos varen prej të tjerëve”, thotë ajo.

Deri tash nga ky projekt kanë dalë dy koleksione me veshje të punuara nga gratë, të cilat mund të blihen online dhe në punëtorinë e grave.

“Ka veshje të ndryshme të figurave të ndryshme, veprimtare e kështu me radhë. Jemi duke punuar në 15 dizajne dhe do të jenë të gatshme në muajin qershor. Si fillim siç po e shihni edhe punëtorinë, është një vend i vogël, është një nismë e vogël por me synime të mëdha që të ju shërbejë sa më shumë grave”, thotë ajo.
Duke blerë punimet e këtyre grave, qytetarët mund të bëhen pjesë e zgjidhjes për dhunën ndaj tyre, thotë zonja Avdyli.

“Ka interesim, ka edhe shitje, normalisht jo në shkallën që presim ne për të ardhmen, por ne po shpresojmë edhe të ndërgjegjësojmë komunitetin se të gjithë mund të jemi pjesë e zgjidhjes. Pra të mos pritet vetëm nga institucionet, organizatat apo donatorët. Nëpërmjet çdo blerjeje kontribuohet në kauzë dhe pastaj ato fonde shfrytëzohen në rritjen e kësaj nisme në mënyrë që këto mundësi të ua ofrojmë sa më shumë grave”, thotë ajo.
Zonja Asllani ndërkaq thotë se fuqizimi ekonomik i grave shërben edhe si formë e parandalimit të dhunës në familje.

“Nëse një grua ka pavarësi ekonomike, sigurisht që nuk qëndron me dhunuesin. Ajo do të dalë, do të pavarësohet. Kjo është pjesë në të cilën ne duhet më tepër të punojmë si shoqëri, duke filluar nga institucionet shtetërore sepse pa mbështetjen e tyre ne si ogranizata joqeveritare e kemi shumë të vështirë”, thotë ajo.
Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, viti 2021 ka shënuar rritje të rasteve të dhunës në familje, e cila në shumicën e rasteve është dhunë ndaj gruas. Derisa në vitin 2020 nga dy mijë e 101 raste të dhunës në familje – një mijë e 636 viktima kanë qenë gra, në vitin 2021 nga dy mijë e 486 raste të dhunës në familje një mijë e 968 viktima kanë qenë gra./VOA

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *