Në Shqipëri, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për vënien nën sekuestro preventive të “Bazës Ndihmëse, Limion, Sarandë”, një bazë e Forcave Detare, pronë e ushtrisë shqiptare e cila në korrik të viti 2020, me vendim të qeverisë, i është dhënë me qira, si pjesë e një territori shumë më të madh, prej mbi 265 mijë metrash katrorë, bashkimit të shoqërive “Concord Investment” sh.p.k. dhe “Kastrati Group” sh.a., përfaqësuar nga shoqëria “Marina Bay Saranda” shpk, si qiramarrës. Shoqëria, sipas publikimeve në faqen e Concord Investment, parashikon ndërtimin e një kompleksi hotelesh, rezidencash dhe një port jahtesh që do të ofrojë mundësnë për ankorim, për 400 anije.
Sipas vendimit të Gjykatës, të cilin Zëri i Amerikës ka mundur ta shohë, vlerësohet “i drejtë parashtrimi i prokurorit se duhet të ndërpritet kryerja e investimit në fushën e turizmit, apo dhe ndërtime të tjera nga investitori, mbi pronën 696 (Baza Ndihmëse, Limion), për arsye se disponimi lirisht i kësaj prone nga subjektet private, cënon gatishmërinë dhe operacionalitetin e Forcës Detare, operacionalitet i cili duhet të vazhdojë të kryhet nga organi kompetent që është Komanda e Forcës Detare, pa ndërhyrje të subjekteve private”.
Hetimi për këtë çështje ka nisur pas një kallëzimi të ish Zv.Komandantit të Forcës Detare Artur Meçollari, sipas të cilit, dhënia me qera është bërë në shkelje, pasi kjo bazë është pjesë e Planit të Vendosjes dhe të Përhapjes së ushtrisë, e për këtë arsye do duhej marrë dhe miratimi i Presidentit të Republikës, në cilësinë e Komandatit të Përgjithshëm të Forcave të armatosura. Qeveria nga ana e saj i është referuar një vendimi të Këshillit të Ministrave të vitit 2014 “për përcaktimin e kritereve, procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontratave të tjera të pasurisë shtetërore”. Sipas saj, bëhet fjalë për shfrytëzim me qira, dhe jo nxjerrje nga Plani i Përhapjes dhe Vendosjes, gjë e cila do të kërkonte dhe miratimin nga Presidenti.
Por sipas zotit Meçollari, në padinë dorëzuar në SPAK, në vitin 2021 “pronat në përputhje me ligjin nr. 64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit në FA” konsiderohen si kapacitete operacionale të miratuara nga Presidenti i Republikës në listën e Planit të Përhapjes dhe Vendosjes. Veprimet mbi pronat e Forcave të Armatosura, që konsiderohen kapacitete operacionale, duhet të trajtohen jo vetëm sipas ligjit Nr. 8743, datë 22.2.2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, por edhe ligjit nr. 64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit në FA”.
Për këtë çështje zoti Meçollari u thirr dy ditë më parë në Prokurprinë e Posaçme, në cilësinë e kallëzuesit. Paralelisht me të, për më shumë se 3 orë qëndroi në Prokurori edhe ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, Bardhyl Kollçaku, aktualisht deputet i Partisë Socialiste.
Zoti Meçollari ka depozituar prej kohësh dhe një padi të dytë për një ndërtim privat në brendësi të bazës ushtarake në Shëngjin./VOA